Emisioni Opinion në Tv Klan trajtoi mbrëmjen e së enjtes zhvillimet më të fundit brenda Partisë Demokratike.
Që në nisje të emisionit, drejtuesi Blendi Fevziu bëri të ditur se stafi i Opinion kishte kontaktuar 26 deputetë të PD për t’i ftuar në studio që të diskutonin për zhvillimet në PD.
Por nga 26 deputetë, vetëm 2 prej tyre pranuan që të flisnin. Gjithë të tjerët, u shpreh Fevziu, ishin të gatshëm të flisnin për çfarëdo teme përveç politikës.
Dy deputetët që pranuan ftesën në emision ishin Ervin Salianji dhe Oriela Nebiaj.
“Gjatë ditës së djeshme, stafi i emisionit Opinion dhe unë personalisht kemi telefonuar 26 deputetë të Partisë Demokratike. 26 deputetë të PD.
Janë përgjigjur vetëm 2 prej tyre, njëri është në studio dhe një do ta kemi në pjesën e tretë të emisionit, 24 të tjerë deklaruan në pjesën më të madhe përveç atyre që thonë jemi të zënë, nuk jemi në Shqipëri, deklaruan që nuk mund të vijnë të flasin për politikë.
Për çdo çështje tjetër ishin të gatshëm të flisnin. Natyrisht që nuk është normale që një deputet i Parlamentit shqiptar, që ka marrë votat e mbështetësve të PD ose të votuesve të opozitës, që ka shkuar në Parlamentin e Shqipërisë dhe paguhet për të bërë politikë dhe për të mbajtur qëndrime politike, t’i shmanget përgjegjësisë publike për të mbajtur qëndrime.
Nuk ushtrihet detyra e deputetit vetëm duke qëndruar në sallë apo duke shkruajtur një status në Facebook dhe duke futur kokën poshtë jastëkut politikisht kur vjen një moment i rëndësishëm.
Gjithsesi ne do mundohemi të kuptojmë çfarë ka ndodhur realisht në PD, cilat janë zhvillimet e momenteve të fundit dhe cili është kryqëzimi që lidhet me faktin se kush do ta përfaqësojë në zgjedhjet e 14 Majit”, u shpreh gazetari Blendi Fevziu.