Një vajzë e tmerruar është fotografuar mes rrënojave në katin e 7-të të një ndërtese të goditur nga raketa ruse. Imazhet tregojnë 23-vjeçaren Anastasia Shvets, e cila dukej e traumatizuar mes rrënojave të shtëpisë së saj në katin e shtatë të një blloku apartamentesh që u godit nga një raketë ruse që i mori jetën të paktën 40 personave.

Ajo u fotografua e tronditur mes rrënojave përpara se shërbimet e urgjencës të arrin që ta shpëtonin nga aty.

“Nuk kam fjalë, nuk kam emocione, nuk ndjej gjë tjetër veçse një zbrazëti të madhe brenda”, u shpreh ajo.

Rreth 1,700 njerëz jetonin në ndërtesën shumëkatëshe dhe ekuipazhet e kërkim-shpëtimit kanë punuar pa pushim që nga sulmi me raketa për të gjetur viktimat dhe të mbijetuarit nën rrënojat.

Administrata rajonale tha se 39 persona janë shpëtuar dhe të paktën 75 janë plagosur, ndërkohë që raportohet se 40 persona kanë humbur jetën.