Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu u takua këtë të mërkurë me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani.
Shehu uroi Altin Dumanin për emërimin e ri në detyrën si drejtues i Prokurorisë së Posaçme.
Gjatë këtij takimi, të dy drejtuesit shprehën vullnetin për pasur marrëdhënie të ndërsjellta institucionale me qëllim identifikimin dhe gjetjen e rasteve të korrupsionit, me qëllim parandalimin në kohë.
Kush është Altin Dumani
Altin Dumani u zgjodh më 16 dhjetor të 2022-it kreu i SPAK për tre vitet e ardhshme. Dumani mori 5 vota të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kolegu i tij Ervin Kondili mori 4 vota, ndërsa prokurori Adnan Xholi 1 votë.
Zgjedhja e kreut të ri të SPAK u bë temë debati në Shqipëri, pas disa deklaratave publike të Ambasadores së SHBA në Tiranë që këmbënguli që procesi të ishte i pamanipuluar dhe i pandikuar nga ata që donin të kufizonin hetimet.
Nga anëtarët e KLP nga prokuroria Zeqir Hoda, Elojda Goxhi, Bujar Sheshi, Ledina Riza dhe pedagogja , Arta Mandro votuan për Dumanin. Kreu i KLP-së Alfred Balla, përfaqësuesit e avokatëve Tartar Bazaj dhe Nurihan Seiti dhe pedagogja Mirela Bogdani votuan për Kondilin. Ndërkohë Prokurori Sokol Stojani ishte vota e vetme për kandidatin Adnan Xholi. Një nga anëtaret e KLP-së prokurorja Esmeralda Cami (Keshi), nuk ishte në seancë.
Altin Dumani e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 1999, ndërsa në vitin 2000 është emëruar drejtues i Prokurorisë së Tropojës. Në vitin 2004, Dumani u zgjodh prokuror i Krimeve të Rënda ku ka mbajtur edhe pozicionin e zv.drejtuesit deri në vitin 2007. Po në këtë vit, u transferua në Prokurorinë e Tiranës në pozicionin e zv.drejtuesit në sektorin e krimit ekonomik.
Në vitin 2010, Altin Dumani u promovua në Prokurorinë e Apelit të Tiranës, prej fillimit të vitit 2019 u komandua si drejtues i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda. Pas kalimit pa probleme të procesit të vetingut në korrik 2019, Dumani ishte një ndër kandidatët kryesorë për SPAK dhe u rendit i parë në sistemin e pikëzimit të KLP-së. Ai kandidoi të ishte drejtues i SPAK pas krijimit të institucionit, por nuk u zgjodh.
Ai është angazhuar gjithashtu në mësimdhënie edhe si ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës.