Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një konferencë për mediat, i pyetur nga gazetarët  ka komentuar arrestimin e ish-zyrtarit të FBI Charles McGonigal, një person që ka zhvilluar takime dhe me kryeministrin Edi Rama.

Ai tha se ky është skandali i radhës së Edi Ramës në raport me SHBA, ndërsa shtoi se ka thënë prej kohësh që ekziston një mafie ndërkombëtare duke shprehur bindjen se skandale të tjera do dalin.

“Raporti më i pasinqertë në botë është ai midis Edi Ramës dhe Amerikës. Nga Bilali te Charli, skandal pas skandali. Që tregon që nuk ka qenë raport vlerash por aferash. Një raport korrupsioni me qëllimin helmimin e miqësisë shqiptaro amerikane.

Dihet që të gjithë shqiptarët ndajnë vlerat dhe konsideratat më të mirat me SHBA që nga viti 1990 deri tani. Jam i bindur që skandale të tjera do të dalin. Ju kam thënë prej kohësh për ekzistencën e një mafie ndërkombëtare. Të keni durim, do të ketë edhe të tjerë.

I gjithë sistemi i Edi Ramës kullon korrupsion nga themelet dhe deri te koka dhe kudo. Na ktheu në vendin e dytë në botë për ryshfet. Nuk ke zyrë, nuk ke inspektor që sot nuk merr lekë. Edhe kur nuk do të marrë, është i detyruar të marrë se ia kërkon shefi. Ky është sistemi që ka krijuar Edi Rama. Jemi te Rilindja që u vjedh edhe racionin jetimëve te Zyber Hallulli”, deklaroi Meta.