Në qytetin e Elbasanit vazhdon puna për ndërtimin e Auto Moto Parkut të parë shqiptar. Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale pamje të punës në kantier. Kreu i qeverisë thotë se ky park do të jetë me standardet e Federatës Ndërkombëtare të Automobilëve për zhvillimin e një larmie aktivitetesh dhe garash kombëtare e ndërkombëtare.
“Dhe me punën që vijon për Auto Moto Park-un e parë shqiptar, i cili po ngrihet në Elbasan me standardet e Federatës Ndërkombëtare të Automobilëve (FIA) për zhvillimin e një larmie aktivitetesh automobilistike dhe garave kombëtare e ndërkombëtare, ju uroj një ditë të mbarë”, u shpreh Rama.
Ky projekt parashikon që të ndërtohet në zonën e Krastës dhe kompleksi i ri rajonal i Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor të Elbasanit dhe Qendrës së Kontrollit të Automjeteve. Si pjesë e këtij investimi parashikohet të ngrihet dhe muzeu i parë Retro, pista e parë të garave auto-moto të certifikuar nga FIA dhe struktura të tjera shumëfunksionale buzë shëtitores së re, për pedalim dhe sporte të tjera.