Legjenda e boksit, Majk Tajson akuzohet për përdhunimin e një gruaje në fillim të viteve 1990. Gruaja, e cila nuk është identifikuar nga mediat e huaja, ka ngritur një padi ndaj ish-boksierit në fillim të muajit maj. Pavarësisht se nuk jep një datë të caktuar për ngjarjen, ajo pretendon se Tajson e përdhunoi brenda limuzinës së tij, duke i shkaktuar dëm psikologjik dhe fizik.
“Daily Mail” ka publikuar një pjesë nga dëshmia e saj:
“Unë hipa në limuzinën e Tajson për të shkuar te shtëpia e një shoqes sime. Ai filloi menjëherë të më prekte dhe u përpoq të më puthë. Unë i thashë disa herë jo dhe i kërkova të ndalonte, por ai vazhdoi. Më pas, ai hoqi pantallonat dhe më përdhunoi në limuzinë.“
Gruaja që paditi legjendën e boksit kërkon që të ruajë anonimitetin e saj, pasi tha se po të identifikohet, i rrezikohet jeta.
“Si rezultat i përdhunimit të Tajson, unë vuajta dhe vazhdoj të vuaj nga lëndimi fizik, psikologjik dhe emocional”, thuhet në dosje. “Kam përjetuar ndjenja faji, humbje të respektit për veten, turp, siklet, trishtim, zemërim, depresion, ankth, tendenca të dhunshme, varësi nga droga dhe alkooli dhe konfuzion si rezultat i përdhunimit brutal.
Avokati i gruas, Darren Seilback, tha në një dosje të veçantë se zyra e tij nuk e mori thjesht fjalën e gruas, por hetoi pretendimet e saj dhe përcaktoi se ato janë “shumë të besueshme”.
Kjo nuk është hera e parë që Tajson përballet me akuza për përdhunim. Në vitin 1992, ai u dënua me 3 vite burg për përdhunimin e një modeleje që merrte pjesë në konkursin e bukurisë “Desiree Washington”.