Pas dëshmisë që zgjati rreth një orë, Shkëlzen Berisha tha se u thirr nga SPAK-u në cilësinë e një personi që ka dijeni për ngjarjen e Gërdecit.

Para mediave, Berisha tha se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen e Gërdecit dhe për vizitat e shpeshta në Ministrinë e Drejtësisë të asaj kohe, ai tha se ka takuar miq dhe kjo çështje është politizuar.

Shkëzen Berisha: Jam thirrur në cilësinë e një personi që ka dijeni për ngjarjen e Gërdecit. Nuk kam lidhje me këtë ngjarje, kam përsëritur ato që thënë publikisht. Më bën përshtypje fakti se e njëjta prokurori 15 vite më parë ka thënë që nuk i sheh të nevojshme këto deklarime.

Komunikim me ministrin atëherë?

Berisha: Ka pasur komunikim të natyrës familjare. Jam pyetur edhe për këto dhe kam bërë të qartë që nuk kam asnjë lidhje sepse të komunikosh me dikë nuk do të thotë të jesh ortak me të. Çështja sipas mendimit tim është politizuar.

Ndiheni i frikësuar?

Berisha: Aspak

Një muaj më parë, u mor ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi në pyetje nga SPAK për të dëshmuar lidhur me çështjen e Gërdecit. Pas dëshmisë, ish-ministri Bumçi tha se dha sqarime në SPAK për shkresën zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, në një pjesë të së cilës shkruhej “për Shkëlzen Berishën”. Duke e cilësuar si të falsifikuar, Bumçi tha se u kërkoi prokurorëve të hetohej shkresa ku përmendej z.Berisha, kallëzim të cilin e ka bërë para shumë vitesh.