Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur hapin pozitiv të Këshillit të Ministrave të BE-së për rrugën e liberalizimit të vizave të Kosovës.
Ai e konsideron një hap të vonuar padrejtësisht me vite dhe që u hodh sot nga BE-ja.
“Një hap i vonuar padrejtësisht me vite u hodh sot nga BE-ja, e cila më në fund po e heq nga vetja njollën e turpit të trajtimit të Kosovës si të ishte një vend jashtë Europës! Urime jo vetëm Kosovës, po edhe Bashkimit Europian”, shkruan Rama.
Ky vendim u mor sot nga ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian në Bruksel. Sipas këtij vendimi, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), por jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.
Deri vonë ishte besuar se hyrja në fuqi e këtij sistemi do të jetë më 1 nëntor të këtij viti, por ky afat është shtyrë për vitin 2024. Kur të hyjë në fuqi ky sistem, ata që duan të vizitojnë vendet e BE-së pa viza, duhet paraprakisht të regjistrohen përmes tij, dhe më pas marrin një autorizim i cili është i vlefshëm për tre vjet. Diplomatët në BE thonë se, aktualisht, gjithçka në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën po shkon sipas planit, dhe se afati i hyrjes në fuqi mbetet 1 Janari i vitit të ardhshëm.