Nga Bujar Qesja
Shpesh teksa meditojmë me veten, kujtojmë kohën që ka kaluar. Veçanërisht kujtojmë atë kohë aktive me shokët e mëhalles së vjetër, që ndamë çapën e bukën dhe ëndërrat e fëmijërisë. Të gjithë kishim nga një nofkë. Disa ishin të hidhura, por ne ishim mësuar me to. Njërit prej tyre i thërrisnim: Koç taljoni. Taljoni ishte përshtatje sipas midesë tonë, e fjalës italiani.
Kostandin Minga është me mamë italiane dhe baba shqiptar. I jati për kohën, ishte nga farmacistët më të mirë. Quhet Ilia Minga. Në fillimin e viteve 40-të, Ilia studionte në Romë për farmaci. Në Romë lidh dashuri, me vajzën e bukur italiane me emrin Marçela. Martohet me të dhe Marçela me emër italian dhe mbiemër shqiptar, jetoi me familjen e saj në mëhallen tonë. Ishte rruga “Xhemal Kasa”, pjesë e lagjes numur 4.
U rritëm me këtë Koç taljonin, i cili ishte kripa e mëhalles. Bukurosh, djalë i vetëm i 3 motrave. Por edhe shqiptimin e kishte paksa të trembur, pasi na dukej se ishte përzier me nuanca të italishtes. Jo më kot thuhet, së fëmija flet gjuhën e nënës. Por mrekulli ishte Marçela, kjo zonjë e rëndë dhe e fisme, që vinte nga kryeqyeteti italian Romë. Për ta ngarë Koçin, e imitonim jo pak nga e folura italishte e Marçelës.
I kundërti i Marçelës, ishte i jati Ilia. Simpatik, i gjatë, me musteqe sikur të ishin vënë aq bukur me dorë m’u mbi buzët e sipërme, ngjitur me hundën. Shumë serioz dhe autoritar. Koçi, sa i miri, sa i urti, sa i dëgjueshmi, vetë lezeti i mëhalles aq të përmallshme të lagjes ku u rritëm. Rruga “Xhemal Kasa”, ishte ngjitur me rrugën “Nail Kondi”, ku bazën e përbënin familje të hershme durrsake. Nuk do t’i përmënd, pasi reagimi i të harruarit të ndonjërit, është shumë e ndjeshme.
Por të vimë tek Koç taljoni. Në të parën herë, ka ardhur tek unë me 18 dhjetor të vitit 2018. Bëra shkrim relativisht të plotë. Dhe kjo e këtij marsi të 2023-shit, është i dyti. Shtëpia e Ilias dhe e Marçelës, ishte ngjitur me furrin e famshëm të Bidulëve, apo “Hani Bidulëve”. Koçi nisi të luajë pingpong, por fiziku i tij e detyroi Koço Afezollin, të bënte ç’është e mundur për të ushtruar notin. Dhe ky taljoni ynë, çonte gjithë lagjen për ta ndjekur. Çfarë tifozllëku? Rrinim të gjithë bashkë dhe bërtisnim me sa fuqi kishim: Koçi! Koçi! Dhe këto thirrjet tona ishin për rekord, pasi donim një muaj të na vinte zëri në terezi.
Sa gëzonim! Bëhet fjalë për fundin e viteve 60-të. Fuqia e muskujve të Mingës së ri, përballonin gara të gjatë 800 dhe 1500 metra. Koç taljonin kur e takova herën e parë, pas 40 vitesh, me testoi memorien time, që ka filluar të griset m’u si letër e ruajtur prej kohësh. Ma shkundi aq shumë, sa retrospektiva erdhi e fuqishme dhe u derdh sikur të shkarkoheshin liqenet e hidroçentraleve. Nuk u shkitëm së përqafuara, duke ia larë supet njëri tjetërit, me lotët e vjetër dhe të rinj.
Kur më pa tani, në këtë herën e dytë, pasi u qafuam sërish me shumë mall më tha:
-Më ka mbetur hatri me ty Bujar! A më the se do të vishe në Romë dhe a të thashë se do të pres? Është vendlindja e nënës time, e Marçelës së mëhalles së vjetër, që e imitonit aq bukur dhe unë nuk ju merrja inat. Ishim shokë të ngushtë. Ishim vëllezër. Dhe vëllezërit, meritojnë të priten dhe të respektohen. Mos më thuaj se ke ardhë dhe s’më ke thënë gjë?
Në fakt unë qendrova në Romë tre ditë, së bashku me Kostandinën. Siç e kemi ne shqiptarët, që nuk duam ta bezdisim tjetrin Koçin nuk e lajmërova. Por në rastin e Koçit, e ndjeva se kisha gabuar. Të drejtë më dhanë lotët e Koç taljonit, që ende janë të pathara në supin tim. Nuk mund ta gënjeja. Kur isha kthyer në Durrës, më mori në telefon. Dëgjova të më thonte:
-Bujar po të pres! Më thuaj, kur do të vish në Romë?
Nuk mund ta gënjeja. Sa ngushtë e kam ndjerë veten, kur ai mësoi se kisha ardhë në Romë, por nuk e mbajta fjalën për ta njoftuar Koçin tim aq të dashur, aq të përmallshëm të fëmijërisë. Jemi rritur bashkë. Jam vetëm dy vite më i madh nga ai. Në 2023-shin Koç Minga, është në 70 vite jetë.
Filloi të qajë dhe i nxehur fliste me ton të ngritur, nga ana tjetër e telefonit.
-Po kam ditë që të pres o vëlla, pse të ma punosh kështu!
Koha tregoi, se Koç taljoni ishte dhe ka mbetur nga djemtë më të mirë të mëhallës së vjetër. Shumë i dashur, i sinqertë, i ëmbël si mjaltë dhe i këndshëm si luledele. Dhe tani që është në Durrës, më kërkoi dhe lamë të konsumojmë një çap buke bashkë.
Kur u ulëm, bëri një gjest të rrallë, të ngulur në shpirtin e pastër. Kur mësoi se sapo isha ndarë me Besnik Bidulin, tjetër shok i mëhalles së vjetër, reagoi shpejt.
-Po pse nuk i the të vinte? Të lutem bëje këtë tani! Ju dua shumë të gjithëve. Oh sa u bënë pa u parë! Po plakemi, halle të mëdha kemi kaluar. Halle kemi edhe para. Por mëhallen e vjetër, nuk mund ta harroj.
Pasi e binda Besnikun për të drekuar së bashku dhe me Koç taljonin, tavolina jonë mund të quhej “Mëhalla e vjetër e lagjes 4”. Sa jemi kënaqur! Kujtimet e pafund ngjasonin me ujvarën, ujrat e secilës rrihen njeri me tjetrin, përplasen fort dhe marrin rrugën nuk e di për ku. Dhe kujtimet tona përplaseshin, por vinin nga shpirti dhe shkonin përsëri në shpirt.
Koç taljoni me këtë rast më dha dhe një mësim të çmuar, ndonëse kjo një 72 vjeçari. Shumë vizita e takime mund t’i shmangesh, mund t’i seleksionosh, mund t’i anashkalosh. Por jo, asnjëherë jo, të shmangesh takimet dhe sidomos aty ku të presin dhe të kanë ftuar, siç është Koç taljoni i mëhalles së vjetër.
Durrës: 14 mars 2023