Projekti pë rijetësimin e Kullës Veneciane të Durrësit është drejt përfundimit.
Punimet restauruese për ta kthyer atë në një qendër digjitale informacioni për historinë dhe trashëgiminë kulturore të Durrësit antik u inspektuan të enjten nga zv/presidenti i Komisionit Evropian Josef Borrell dhe ministrja e kulturës Elva Margariti, të shoqëruar edhe nga kryebashkiakja Emiriana Sako.
Monumenti i kategorisë së parë është një nga asetet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Durrësit, por që prej tërmetit të nëntorit 2019 ai qëndron i mbyllur për publikun.
Punimet për restaurimin e Kullës Veneciane nisën në shkurt të vitit të kaluar dhe pritej të përmbylleshin brenda 6 muajsh.
Projekti për rijetësimin e saj po realizohet përmes programit EU4Culture, me një vlerë prej rreth 690 mijë euro dhe po zbatohet nga UNOPS.
Kulla Veneciane pritet të hapet për publikun e gjerë dhe turistët në muajin qershor.
Në proces restaurimi me fondet e BE-së janë edhe dy monumente të tjera të trashëgimisë kulturore; Muzeu Arkeologjik dhe Hamami turk.
Në faqen zyrtare në rrjete sociale, programi EU4Culture ka përditësuar shpesh informacionet lidhur me vijimësinë e punimeve për rijetësimin e Kullës Veneciane dhe kthimin e saj në qendër digjitale informacioni.
“Shumë shpejt të gjithë vizitorët do të jenë në gjendje të shijojnë historitë e mahnitshme, gojëdhënat dhe tregimet magjepsëse që Kulla ofron nëpërmjet kupolave të projektimit, instalimeve interaktive, përvojës së realitetit virtual, audio udhëzuesve, leximit në sit, shikimit përmes periskopëve dhe shumë mjeteve të tjera inovative!”,- shkuante EU4Culture, në një postim të muajve më parë.