Nga Andi Bushati
Lulzim Basha gjendet prej disa ditësh në syrin e ciklonit i akuzuar nga kundërshtarët e tij si njeri që i shërben interesave serbe.
Po ti lexosh, një e nga një, bataretë kundër tij, ai herë përshkruhet si njeriu me maskë që kërkonte organe të varrosura në themelet e shtëpisë së verdhë, herë si mbledhësi i fakteve kundër komandantëve heroikë të UÇK, herë si asgjesuesi i kasetës filmike me krimet mostruoze të ushtrisë së Millosheviçit në Krushë të madhe dhe herë si kreu i një partie që ka votuar pro raportit të Dik Martit, kur ishte ne pushtet.
Pra, po të mos humbasësh në cicmicet meskine, nëse i mori apo i shkatërroi xhirimet e kameramanit amator Bellanica, përktheu keq apo mirë në shtëpinë e Katushit, tabloja e totale që duan të japin këto denoncime është se lideri i opozitës paska bërë aq shumë mëkate sa s’mund të jenë të rastësishme, pra se ai qenkësh një poliagjent par exellence.
Ato mëtojnë të vërtetojnë se ai i ka shërbyer armiqve historikë të Shqipërisë që nga koha e studentllëkut e deri kur u fut në politikë, njësoj si Mehmet Shehu që u “rekrutua” nga agjenturat e huaja që në luftën e Spanjës, e punoi për to deri ditën kur hodhi radion marrëse -dhënëse në WC e shtëpisë së vet.
E njëjta “tablo sinoptike”, shumë e njohur për breza të tëra shqiptarësh, po shpaloset sot edhe për ta shpallur Lulzim Bashën tradhëtar.
Me sa duket aq shumë është rrënjosur kjo mënyrë konspirative e të menduarit në psikikën e një pjese të shoqërisë sonë dhe aq rrezik kanë të zënë vend këto akuza, patentën e të cilave e kishte diktatura komuniste, sa ato kanë kompleksuar edhe vetë liderin e opozitës.
Lulzim Basha nxitoi menjëherë pas tyre të vërë në llogarinë e tij në Twitter logon idiote “Liria ka emër”.
Ndonëse ky është një sllogan i vetëm një partie politike, që do të njësojë epopenë e luftës së UÇK-së me liderët e vet, Basha nuk i rezistoi dot modës për tu dukur patriot.
Ai shkoi edhe më tej. Duke komentuar akuzat kundër tij në Real Story, shigjetoi Ramën me të njëjtën mendësi konspirative, duke e fajësuar se po i fabrikonte ato po atë ditë që komandantët ishin në Hagë dhe kur ai takohej fshehtas me Vuçiçin.
Pra fabula është e njohur dhe e përsëritur deri në lodhje: kundërshtari politik është njëkohësisht spiun, tradhëtar, agjent i huaj.
Këtë e ka vuajtur në kurriz edhe Fatos Nano pas deklaratave të përbashkëta me Papanderun e aq më shumë pas takimit me Millosheviçin në Kretë.
Këtë e ka mbajtur mbi shpinë edhe Sali Berisha me lejimin e kontrabandës së naftës, me deklaratat për Rambujenë e deri tek ndarja e detit më Greqinë.
Këtë e ka përjetuar edhe Rama që kur i dha Goran Bregoviçit çelësin e Tiranës e deri tani kur duhet të përballet me planin për shkëmbim teritoresh dhe etiketimin si Zeografi Bis.
Edhe vetë Basha nuk e ka për herë të parë. “Zbulimet” për financimet ruse dhe aludimet se ngriti çadrën dhe protestat me frymëzim sllav, për të ndarë vendin nga perëndimi nuk i kanë munguar as atij.
Pra, e parë nga kjo perspektivë, të gjithë liderët tanë, njëri pas tjetrit dhe pa përjashtim, paskëishin qenë agjentë dhe tradhëtarë dhe gjithnjë kundërshtarët e tyre politikë u kanë shpalosur tablonë sinoptike që ua ka çjerrë maskën.
Kjo, mendësi e cila po rikthehet të bjerë tani mbi kreun e PD-së është sa groteske aq edhe idiote.
Natyrisht, udhëheqësit tanë politikë nuk janë ëngjëj. Në dëshirën e tyre të verbër për pushtet ata mund ta kenë dëmtuar vendin ndoshta edhe shumë më tepër se sa një armik. Për egon dhe karierën e tyre ata mund të kenë bërë edhe pakte me djallin.
Por ama, nga këtu e deri tek riprodhimi i kopjeve të zbehta të filmave që kemi parë me grupet armiqësore të kohës së komunizmit, ka një hendek të madh.
Të bësh politikë në këtë mënyrë është e ulët dhe e ndyrë. Ajo është ti thërrasësh në ndihmë instikteve më të kapluara nga paranoja, mendjeve më të pa afta për të arsyetuar, tifozëve më të verbuar nga urrejtja.
Kjo po bëhet sot ndaj Lulzim Bashës, i cili po vizatohet me penelatat e një agjenti të lashtë në shërbim të Beogradit, që ka mbledhur prova kundër shqiptarëve, që ka fshehur krimet e serbëve, që ka punuar për të përdhosur lirinë e Kosovës.
Natyrisht, kjo është qesharake dhe as ai vetë nuk do duhej të kishte nevojë për tu mbrojtur nga sharlatanizma të tillë.
As ky shkrim dhe kjo mënyrë të argumentuari nuk mëton ta bëjë këtë. Sepse liderë si Basha, Rama dhe Berisha ndihen shumë më mirë kur u dalin për zot fanatikë të zjarrtë që kanë guximin të pohojnë se ata janë të pastër dhe kundërshtari i tyre është tradhëtari.
Prandaj, kjo mënyrë e të shikuarit të gjërave nuk është as marje në mbrojtje e atij që po sulmohet sot nga socialistët dhe as e atyre që janë fshikulluar, dje, në të njëjtën mënyrë, nga demokratët.
Ajo është më shumë një apel për ti thirrur në ndihmë ndershmërisë dhe arsyes, duke hequr dorë nga ushqyerja e turmave budallaqe me skenare konspirativë. Sepse është vërtet e trishtueshme që katër dekada pas “zbulimit” të poliagjentit të fundit, të mos jemi në gjendje të gjejmë instrumenta të rij të luftës politike, përpos atyre që na la trashëgim Enveri.