Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Belle, në fjalën e tij në Kuvend ditën e sotme, shprehu mbështetjen për procesin e integrimit europian të vendit tonë.
“Pas çdo aktiviteti që Austria dhe institucionet austriake zhvillojnë në Shqipëri qëndron një qëllim i madh: mbështetja e rrugës së Shqipërisë drejt BE-së. Austria ka qenë dhe është një nga ato vende anëtare që e mbështesin integrimin e Shqipërisë dhe për të cilën integrimi është një çështje zemre. Pozita gjeografike është një faktor, por jo më i rëndësishmi sepse është e qartë se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës së përbashkët. Prandaj Austria ka kohë që mbështet negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha ai.
Van der Belle u shpreh se Austria mbështet jo vetëm intensivisht hapat që merren për t’u bërë pjesë e procesit, por këmbëngul që edhe shumë iniciativa të BE-së të jenë të hapura për qytetarët që përpara anëtarësimit.
“Kur je në proces e sipër bëhet i mundur aksesimi i këtyre programeve si Erasmus +, Horizon Europe etj, që janë programe që mbështesin shkëmbimin shkencor, apo edhe mekanizmi i mbrojtjes nga katastrofat. Të gjitha këto mekanizma tregojnë se është e mundur që tani, që qytetarët e Shqipërisë të marrin pjesë në programe të BE-së”, shtoi ai.
Më tej, Van der Belle inkurajoi politikën shqiptare për gjetjen e kompromisit, i cili sipas tij “është zemra e një demokracie liberale” dhe iu sugjeroi të mos marrin vendime të nxituara.
“Kam qenë shumë kohë deputet, për 18 vjet në parlamentin austriak dhe kam qenë deputet i një partie në opozitë. Bashkëpunimin apo mungesën e tij e kam kaluar vetë. Përpara zgjedhjeve të rëndësishme nuk është gjithmonë i lehtë kompromisi politik. Por, kompromisi është një gur themelor i demokracisë. Të gjesh një kompromis do të thotë që të dyja palët të lënë dy qëndrime të kundërta dhe të synojnë një qëndrim të ri të përbashkët. Mund ta quajnë këtë edhe një zgjidhje të përbashkët. Të mos marrin vendime të nxituara. Në gjermanisht quhet një kompromis dembel”, tha ai.