Partia Socialiste ka vijuar akuzat ndaj deputetes Monika Kryemadhi se ka marrë para nga rusët. Ka qenë deputeti socialist Petro Koçi, i cili në një komunikim për mediat ka kërkuar nga drejtësia që të zbardhet çështja në fjalë, duke shtuar se është e patolerueshme që një deputete të marrë para nga kompani oligarkësh rusë.
“Një deputet që merr para nga kompani oligarkësh rus, nuk mund të injorojë opinionin publik dhe organet e drejtësisë. Drejtësia e re duhet të japë zgjidhje. Është një çështje urgjencë për sigurinë tonë. Drejtësia nuk duhet të humbasë kohë teksa të dhënat e mediave ngre dyshime të forta se oligarkët rusë kanë shtrirë duart nëpërmjet parave. Në një nga faturat pasqyrohet deputetja Kryemadhi. Kryemadhi duhet të sqarojë se në çfarë lloji biznesi është përfshirë ajo vetë. Çfarë u ka premtuar rusëve në fitim? Si mund të përfshihet në këtë çështje? Si mund të bëj biznes me rusët bashkëshortja e ish-presidentit të Republikës së Shqipërisë. Drejtësia do të duhet të hetojë dhe të dalë në një përfundim për akuzat që ngrihen në media”, tha ai.