E ardhmja e pankinës së PSG-së mbetet një temë e nxehtë aktualiteti, në kryeqytetin francez. Pikërisht kështu, sepse pavarësisht përgënjeshtrimeve të vazhdueshme të drejtorit sportiv Leonardo (e fundit tri ditë më parë në një lidhje direkte me tifozët), kampionët e Francës po mendojnë seriozisht që të zëvendësojnë Tomas Tuhelin.
Trajneri gjerman, ndonëse sezonin e kaluar i udhëhoqi deri në finalen e Ligës së Kampioneve transalpinët, ai asnjëherë nuk duket se ka pasur peshën për të bërë që dhomat e zhveshjes ta ndiqnin.
Madje, liderët e skuadrës si Mbape, Nejmar, Di Maria e të tjerë, jo vetëm që nuk shohin tek ai një figurë për t’u respektuar, por shpeshherë kanë pasur shumë përplasje të forta, për të mos folur pastaj edhe për argjentinasin Mauro Ikardi, i cili ka humbur nga radarët.
Dhe figura kryesore për të vënë në rresht dhomat e zhveshjes, por në të njëjtën kohë për t’i dhënë një pamje disi edhe më konkrete lojës së skuadrës është përzgjedhur Masimiliano Alegri.
Për këtë garanton francezja “Sport.fr”, e cila në të njëjtën kohë saktëson se drejtori Leonardo po këmbëngul aq shumë, sa ka arritur t’i dhurojë deri në 10 milionë euro neto në sezon, vetëm për ta pasur me vete në Paris.
Por sërish sipas burimit në fjalë, “Konti Maks”, i cili udhëhoqi Juventusin te sukseset e shumta në Itali për 5 vite radhazi, ashtu sikurse në dy finale Champions-i të humbura më pas ndaj Barcelonës e Realit të Madridit, vazhdon që të shtyjë PSG-në.
“Mund të kishte qenë një sfidë interesante, por Alegri ëndërron të stërvisë Interin tashmë dhe jo më PSG-në, me të cilën ka qenë në kontakte të vazhdueshme, edhe kur drejtonte në Torino”, shkruante “Sport.fr”.
Madje, investigimi në fjalë saktëson gjithashtu se Masimiliano Alegri jo vetëm që ka vendosur të qëndrojë në pritje dhe të shohë se si do të rrjedhojë situata mes Antonio Kontes dhe Interit, e acaruar jo pak në fundin e sezonit të kaluar, por është në kontakte të vazhdueshme me Xhuzepe Marotën.
Ky i fundit ishte ai që e solli te Juventusi, por ndërkohë duke parë se sivjet, pavarësisht investimeve të shumta, Konte nuk po arrin të marrë rezultatet që të gjithë presin tek Interi, për më tepër që Juventusi papritur është zbuluar një kantier ndërtimi, bën të mendohet se ndoshta një divorc mes Kontes dhe zikaltërve nuk është aspak i pamundur brenda muajit dhjetor të këtij viti.
Dhe nëse kjo ndodh, Alegri është gati që të marrë frenat e rivalëve të përjetshëm bardhezi dhe të provojë që të bëjë me Interit atë që arriti me “Zonjën e Vjetër”.





