Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me mjekë dhe infermierë këtë të mërkurë ku u shpjegoi rritjen e pagave. Kreu i qeverisë u shpreh se me rritjen 7% që do t’u bëhet tani bluzave të bardha, mjekëve të përgjithshëm u shkon paga në mbi 111 mijë lekë, ndërsa infermierëve në mbi 72 mijë Lekë.

Po ashtu ai theksoi se ky është vetëm hapi i parë pasi deri në vitin tjetër, rroga e mjekëve të përgjithshëm do të shkojë në 131 mijë Lekë ndërsa e infermierëve në 87 mijë Lekë.

“Ne kemi bërë një rritje të pagës së mjekëve specialistë me 50 mijë Lekë të reja në muaj e cila bëhet efektive tani dhe nga ana tjetër kemi një zotim për të mbajtur që do të rrisim 7% pagën për mjekët dhe infermierët në tërësi. Në këtë rast kjo do të bëhet menjëherë për mjekët e përgjithshëm dhe për infermierët.

Që do të thotë që paga e mjekëve të përgjithshëm tani do të rritet me 59 mijë Lekë dhe do të shkojë në 111 672. Këto bishtat mos i merrni shumë fiks sepse mund të ndryshojnë. Sigurisht, fakti që paga e mjekëve të përgjithshëm do të shkojë tek 111 mijë Lekëshi nuk do të ndryshojë. Ashtu sikurse dhe paga e infermierëve do të shkojë tek 72 118 Lekë. Por ky është hapi i parë sepse në harkun mes dy Prillave, tani dhe prillit tjetër, do ta plotësojmë kuadrin. Mjekët specialistë do të vazhdojnë dhe për momentin nuk do të kërkojnë më shumë shpresoj sepse specialistët në QSUT për shembull do ta kenë pagën 174 mijë lekë. Por mjekët e përgjithshëm do të shkojnë në 131 672 lekë dhe infermierët do të shkojnë në 87 118 lekë. Kështu që me këtë rritje praktikisht shkojmë në nivelin e lartë të rajonit”, u shpreh Rama.  

Kreu i qeverisë theksoi se ambicia është që paga mesatare në Shqipëri të shkojë në 900 Euro. Për mjekët vlerësoi se edhe autonomia spitalore do t’ua shtojë pagën atyre që punojnë më shumë.

“Me autonominë spitalore që kemi filluar ta pilotojmë dhe në harkun e dy apo tre viteve do të shtrihet kudo u jepet mundësia mjekëve që të paguhen ekstra performancës që bëjnë. Pra kush bën më shumë vizita, kush bën më shumë operacione kush bën më shumë punë do të marrë më shumë. Domethënë do të marrë mbi këto se këto nuk diskutohen”, tha ai.

Sipas Ramës, rritja e pagave është pasqyrë direkte e një rritjeje të qëndrueshme të ekonomisë.