Kitaristi historik i grupit suedez, Abba, Lasse Wellander është ndarë nga jeta në moshën 70-vjeçare. Ishtë vetë grupi suedez, i njohur për albumet mjaft të suksesshme si “Mamma mia”, që dha njoftimin në rrjetet sociale.
“Me trishtim të jashtëzakonshëm duhet të njoftojmë se Lasse-i ynë i dashur ra në gjumë përgjithmonë. Lasse së fundmi u prek nga kanceri dhe të Premten e Madhe ndërroi jetë i qetë, i rrethuar nga njerëzit më të afërt me të”.
I rritur në fshatin e vogël të Skrikarhyttan, Suedi, Wellander pati seancën e tij të parë të regjistrimit me Abba në tetor 1974 dhe vazhdoi të luante në albumet e tyre përkatëse solo pas ndarjes së tyre.
“Ti ke qenë një qendër në jetën tonë dhe është e paimagjinueshme që tani duhet të jetojmë pa ty. Ne të duam dhe na mungon shumë”, shkruhej në postim.
Wellander shoqëroi grupin legjendar të muzikës suedeze (Bjorn Ulvaeus, Benny Andersson, Agnetha Faltskog dhe Anni-Frid Lyngstad) në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë, vite në të cilat ata arritën popullaritet në mbarë botën.
Wellander ishte gjithashtu i pranishëm në albumin e ribashkimit “Voyage”, të vitit 2021. Në vitet tetëdhjetë muzikanti I ndjerw nxori edhe disa albume solo.
Në vitin 2005, ai mori Çmimin Përkujtimor Albin Hagström nga Akademia Mbretërore Suedeze e Muzikës dhe në vitin 2018 çmimin special të Unionit të Muzikantëve Suedezë për punën e tij si muzikant i sesionit.