Një situatë aspak normale u raportua mbrëmjen e djeshme. Futbollisti i Kroacisë, Domagoj Vida, ishte aktivizuar i infektuar me COVID-19 në miqësoren ndaj Turqisë, që përfundoi në barazim 3-3. Lajmi se 31-vjeçari ishte pozitiv u konfirmua nga federata kroate, duke shkaktuar panik edhe tek turqit.
Vida u zëvendësua në fillim të pjesës së dytë, por rreziku që ai ta ketë transmetuar virusin tek të tjerët është i madh, për shkak të kontakteve që mund të ketë pasur në fushë dhe jashtë saj.
Mediat turke në artikujt e botuar kanë arritur të evidentojnë disa prej futbollistëve me të cilët mbrojtësi kishte pasur kontakt.
Interesant është fakti se Vida, duke qenë se luan për Beshiktashin, ka marrëdhënie të ngushta miqësore me shumë lojtarë të kombëtares turke. Për këtë arsye, mediat turke filluan të botonin foto se si kroati përqafohej me kundërshtarët miq.
Nga fotot e publikuara është zbuluar se Vida përqafoi Dorukhan Tokoz, Çaner Erkin dhe trajnerin Senol Gunesh, e njëherësh ishte shpesh afër Cenko Tosun dhe Mert Cetin gjatë lojës.





