Holandë, pezullohet derbi i Kategorisë së Dytë. Kanë mjaftuar gotat e birrave që janë hedhur nga tifozët pas shënimit të një goli nga rivalët që ndeshja mes Nac Breda dhe Willem II të ndërpritet.

Kur lojtari i Willem II të Tilburgut, sulmuesi 25 vjecar belg, Elton Kabangu, coi në avantazh skuadrën e tij, tifozët e NAC Breda shpërthyen, duke hedhur drejt objekte të ndryshme, përfshirë këtu dhe gotat e birrës.

Episod ky që solli ndërprerjen e ndeshjes.

Para se të ndodhte kjo, loja ishte ndërprerë edhe një herë tjetër për shkak të objekteve piroteknike të hedhura në fushë nga tifozëritë.

Gjithsesi, në episodin e dytë ndeshja nuk rinisi më dhe derbi i Brabantes, siç quhet në Holandë, mund të përfundojë me fitoren 3-0 në tavolinë për skuadrën e Willem II.

Kjo ishte hera e dytë në dy javë që futbolli holandez bën lajm për motive të dhunës në stadiume.

Në fitoren e Ajaksit në Kupë ndaj Feyenoordit, ndeshja u ndërpre për ca kohë, pasi lojtari i Ajaksit, Davy Klaassen, u gjakos pasi u godit me një objekt në kokë dhe iu desh të kurohej.

Ajo ndeshje pastaj rinisi, pasi nuk kishte më incidente, duke përfunduar me fitoren e “harkëtarëve”.