Një arsenal armësh është sekuestruar në Shkodër gjatë një aksioni të koduar “Guns”. Bëhet fjalë për një snajper, 1 pushkë, 1 pistoletë, 1 armë gjahu, 2 armë sportive, 1 palë dylbi dhe municion luftarak për të gjitha llojet e armëve.

Poseduesi i këtyre armëve, policia thotë se është një 43-vjeçar me iniciale A.I., i cili është shpallur në kërkim pasi nuk u gjet në banesën e ti në fshatin Mali i Jushit në Bushat. Armët u gjetën pikërisht në banesën e tij, ndërsa është proceduar në gjendja të lirë nëna e 43-vjeçarit, L.I. 73 vjeçe.

Policia kishte informacione se ky persona posedonte arsenal armësh dhe dyshohej se po përgatitej për t’i shitur ato te shtetas me precedent kriminal, të cilët dyshohet se do t’i përdornin armët për të kryer krime ndaj personit dhe pronës.

Strukturat hetimore të Policisë së Shkodrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë  veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale  “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim.