Blerina Bombaj e ftuar në emisionin “S’e Luan Topi”, ka treguar se kur ishte 9 vjeç, nëna e saj u operua për t’i dhënë asaj kockë nga e vetja.

Ajo kishte probleme me këmbën, ku kocka e saj ishte gërryer nga brenda dhe u detyrua të bënte një operacion të vështirë. Ishte nëna e saj e cila pranoi pa menduar dy herë që t’i dhuronte kockë nga trupi i saj që të shpëtonte jetën e Blerinës.

Erjona Rusi: Si është puna e operacionit që 9 vjeç, nga se vuaje?

Blerina Bombaj9 vjeç ndjeva një ënjtje në këmbë të fortë, ishte si një gungë tek kocka dhe i them o mami më dhemb kjo. Por nuk kisha asnjë hematomë, asnjë shenjë tjetër. Ajo sapo ma preku u drodh, domethënë ja ndjeju që nuk ishte diçka shumë e thjeshtë. Kemi filluar pastaj mjek pas mjeku, ishte një kist brenda kockës i cili mund të ishte dhe i lindur dhe i mbushur me gjak dhe ai gjaku e gërryente dhe e gërryente derisa kocka ime kryesore e këmbës kishte ngelur me dy cifla anash dhe ishte në rrezik akut për t’u thyer, domethënë kam shpëtuar për fije pa mu thyer kocka dhe ndoshta pastaj do ishte e pamundur ta mblidhje mbrapsht situatën.

Jemi ndjekur me Panajot Bogën, një mjek ortoped i jashtëzakonshëm, i cili mori përsipër operacionin, një operacion shumë i vështirë, ku kjo kockë që ishte gërryer komplet, do të mbushej me pjesë kockore nga trupi i mamasë time. Pra kishte 3 opsione, njëra ishte të vihej hekur, njëra ishte të merrje kockë nga një person që kishte ndërruar jetë dhe tjetra ishte të bëhej donator një nga prindërit që kishte dhe më shumë ngjashmëri nga ana fiziologjike. Mamaja ime sigurisht që nuk la asnjë opsion tjetër, tha do e bëj unë këtë (përlotet).

Erjona Rusi: Çfarë të emocionon kur kujton këtë moment?

Blerina Bombaj: Sakrifica e saj më emocionon shumë. Një grua shumë e fortë, sakrifica për fëmijën, ajo ndjesia e nënës që përpara fëmijës së saj nuk vë as veten e saj. Jemi operuar të dyja njëkohësisht, asaj i morën kockë nga legeni dhe në të njëjtën kohë, e mbushën pjesën e boshatisur të kockës sime dhe pas 6 muajsh, unë kam qenë 7 muaj me këmbën deri lart në allçi dhe mbaj mend kur e kam hequr nuk e mbaja dot përthyer gjurin, më rrinte këmba drejt.

Blerina ka treguar se që 9 vjeç, kur u operua së bashku me të ëmën dhe deri në moshën 16-vjeçare, kur udhëtuan në Greqi, kanë fjetur bashkë në një krevat, 10 vite e përballoi emigracionin me dinjitet, për ta edukuar dhe shkolluar. Prej 14 vitesh nëna e saj e mbron me shpirt gjithçka ajo ka, punën, fëmijët, dhe të ardhmen e saj. Ajo e ka mësuar të jetë luftarake dhe të dojë njerëzit e saj.