Sapo kemi hyrë në muajin maj dhe grupet e para të turistëve kanë nisur ta vizitojnë Durrësin.
Sezoni turistik këtë vit ka filluar më herët dhe këtë e dëshmojnë agjencitë turistike dhe rezervimet e bëra në strukturat hoteliere.
“Sezoni këtë vit duket se do të fillojë më herët. Prenotimet kanë nisur më përpara sesa vitet e kaluara. Ky është një trend pozitiv që do t’i shërbejë tregut tonë”,– thotë për “DurrësLajm” administratori i agjencisë Albtours, Edmond Basho.
“Kontratat mes agjencive turistike të huaja dhe hoteleve të Durrësit tashmë janë realizuar dhe vihet re një rritje krahasuar me vitin e kaluar. Shpresojmë në një sezon turistik më të zgjatur në kohë”,- deklaron Alban Isteri, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës.
Kohështrirja e sezonit turistik është një dëshmi se Durrësi po kthehet në një qytet që nuk vizitohet vetëm gjatë 3 muajve të verës. Plazhet e vijës sonë bregdetare dhe strukturat hoteliere do të popullohen nga pushuesit nga Kosova, Maqedonia e Veriut, por edhe turistët nga vendet nordike apo Polonia e Çekia.
Por trendi i këtij sezoni pritet të jenë turistët spanjollë, që do të akomodohen në Gjirin e Lalzit.
“Tregu i ri që do të hyjë këtë vit është ai spanjoll. Arsyeja e hyrjes së tyre është se në Gjirin e Lalzit është hapur një brand i ri hotelerie. Pritet që turistët nga Spanja të vijnë me udhëtime charter, një apo dy herë në javë”,- thotë Basho.
Punimet në shëtitoren bregdetare ende nuk janë mbyllur dhe sipas autoriteteve vendore faza e parë do të përfundojë në muajin qershor. Investimet në infrastruturën rrugore të zonave bregdetare pritet të ndikojnë në mbarëvajtjen e sezonit, ndërkohë problem mbeten ndërtimet e reja sipas Bashos.
“Problemi më i madh këtë vit janë strukturat e reja hoteliere që janë në ndërtim. Të shpresojmë që gjatë sezonit të verës do të pezullohen punimet për të rinisur nga vjeshta për të mos penguar mbarëvajtjen e sezonit”.
Pak ditë më parë, Durrësi hapi sezonin e kroçerave turistike me “Bukuroshja e Adriatikut” që solli 134 turistë francezë.
Pritshmëritë e autoriteteve vendore dhe operatorëve turistikë janë që këtë vit qytetin bregdetar ta vizitojnë më shumë se 1 milionë turistë, duke kaluar kështu statistikat e vitit të kaluar.
M.B.