Teuta duket se e ka gjetur liderin në sulm, madje prej dy sezonesh, në shumë ndeshje ka arritur që ta nxjerrë skuadrën e tij nga “balta”. Bëhet fjalë për durrsakun, “produkt” të Akademisë së Futbollit Teuta, Lorencio Vilën. Ka shënuar golin e vetëm, por me shumë “peshë”, duke i dhënë 3 pikët skuadrës së tij. Vila është një futbollist që po njeh rritje, ndërsa në fund të ndeshjes me bardheblutë, nga Pogradeci, sulmuesi u shpreh mjaft i lumtur për 3 pikët e para në kampionat.
“Jam i lumtur për golin, por edhe për 3 pikët që morëm. Skuadra bëri maksimumin që të futemi në objektivin tonë dhe të marrim ndeshjet një nga një. Me atë që treguam, pse jo të mos synojmë për titullin kampion pasi kemi afruar lojtarë cilësorë dhe jemi realisht në betejën për titullin kampion”.
I pyetur se çfarë ka nisur që të mendojë Vila për të ardhmen e tij, sulmuesi durrsak ka shtuar se: “Shpresoj të jap maksimumin tek Teuta dhe të iki në një kampionat më të fortë”.





