Interi do të zbresë në fushë mbrëmjen e sotme në “Bentegodi”, aty ku në orën 21:00 e pret Verona në ndeshjen e vlefshme për javën e 33-të të Serisë A. Zikaltrit e dinë mirë se duhet të mbërrijnë patjetër te fitorja për të qëndruar në garë për zonën “Champions” dhe për të mos u lëshuar terren rivalëve direktë të Romës e Milanit.

Simone Inzagi ka zgjedhur të heshtë para ndeshjes duke shmangur konferencat për shtyp, ashtu si trajneri i verdhebluve, Marko Zafaroni, me teknikët që janë fokusuar te përgatitjet. Inzagi po shkon drejt rrotacionit të pjesshëm duke pasur në konsideratë ndeshjen e fundjavës me Romën e derbin me Milanin në Europë të martën e ardhshme.

Në sulm do të rikthehen Xheko dhe Lautaro, dyshja që e nisën nga stoli ndaj Lacios, ndërkohë që dilemat prekin mesfushën. Brozoviç e Çalhanoglu janë të vetmit që e kanë të sigurt fanellën e titullarit, me Barelën favorit ndaj Galjardinit, ndërkohë që në pankinë pritet të dërgohet këtë herë Mikhitarian.

Edhe Kristjan Asllani në mungesë të ndonjë surprize pritet ta nisë nga stoli, ndërsa korsitë do t’i përkasin Dumfrisit e Dimarkos. De Vraj e D’Ambrozio do të jenë shokët e repartit të Bastonit që do të tentojnë të formojnë murin para Onanës, për të frymëzuar fitoren e tretë radhazi në kampionat, që në këtë vit kalendarik mungon.

Po ashtu, sfida rezervon edhe një sërë statistikash të tjera interesante. – Interi është skuadra që ka fituar më shumë ndeshje ndaj Veronës në Serinë A: 38 nga 63 (21 barazime, 4 humbje). Përpos kësaj, Verona ka barazuar më shumë ndeshje në elitën e futbollit italian vetëm kundër Torinos (25).