Covid-19 nuk është më një emergjencë globale shëndetësore, ka deklaruar të premten Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Komiteti i Urgjencës dhe i Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetit të OBSH-së diskutoi pandeminë të enjten në takimin e tij të 15-të për Covid-19 dhe Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus u pajtua që Covid-19 nuk është më një emergjencë globale shëndetësore.
“Për më shumë se një vit, pandemia ka patur një prirje rënëse,” tha Tedros në një konferencë shtypi të Premten.
“Kjo prirje ka lejuar që shumica e vendeve ti rikthehen jetës siç ishim përpara Covid-19,” tha Tedros. “Dje, komiteti i urgjencës u mblodh për herë të 15-të dhe më rekomandoi që të shpallja fundin e urgjencës së shëndetit publik. Unë e kam pranuar atë këshillë.”
Organizata e shpalli shpërthimin e koronavirusit si një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar në janar 2020, rreth gjashtë javë përpara se ta quante atë pandemi.
Një PHEIC krijon një marrëveshje midis vendeve për t’iu përmbajtur rekomandimeve të OBSH-së për menaxhimin e emergjencës. Secili vend, nga ana tjetër, deklaronte urgjencën e tij të shëndetit publik – deklarata që kanë peshë ligjore. Vendet i përdorin ato për të menaxhuar burimet në mënyrë që të lehtësojnë krizën.
Sipas të dhënave të OBSH-së, ka pasur më shumë se 765 milionë raste të konfirmuara me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë. Gati 7 milionë njerëz kanë vdekur. Evropa ka pasur rastet më të shumta të konfirmuara, por Amerika ka raportuar më shumë vdekje. Rreth 1 në 6 vdekje totale kanë qenë në SHBA.
Sipas CNN, Shtetet e Bashkuara do të lejojnë që urgjenca e saj e shëndetit publik për Covid-19 të përfundojë më 11 maj.