Aktorja Adriana Matoshi ka qenë kryefjala e mediave ditët e fundit, jo vetëm për arritjet artistike, por edhe për zyrtarizimin e lidhjes së re të dashurisë.
Matoshi konfirmoi më herët për “Prive” se është në një marrëdhënie me futbollistin afrikan, Keith Groeneveld, i cili është 19 vite më i ri në moshë se ajo.
Ndërkohë e ftuar së fundmi në emisionin “Tetë a tetë”, aktorja ka rrëfyer arsyet që e çuan drejt divorcit me ish-bashkëshortin, biznesmenin Albert Sylejmani.
Adriana u shpreh se ishte një periudhë kur ajo u thye shpirtërisht e emocionalisht dhe prandaj kishte vetëm dy mundësi, të shkatërronte veten, ose të ecte përpara, dhe ajo zgjodhi këtë të fundit.
“Sigurisht që divorci nuk është një gjë që duhet me u gëzu, ajo vjen nga diçka që nuk e pret ose ti nuk ke pasur qëllime të tilla, ajo ka ndodhur. Periudhën sa kam qenë e martuar, kam qenë e lumtur. Kam pasur një moment kur gjithçka u thy shpirtërisht emocionalisht dhe fizikisht shumë rëndë. Periudhë që ka lënë varrë në shpirtin tim, por i kam pasur vetëm dy mundësi; me shkatërru veten apo me ec përpara, dhe kam zgjedhur të eci përpara për hir të fëmijëve të mi që ata janë qenia më e pafajshme në botë. E kam vuajtur një periudhë, derisa jam koncentruar të bëj vetëm gjëra të mira dhe jam shumë e lumtur që nuk ja kam lejuar vetes që diçka e madhe të më hedh poshtë. E kaluara ime mbetet e kaluar, por jam femër ambicioze, kam shumë gjëra për të bërë që lidhen me artin, me vështirësi pa vështirësi, me shkolla me detyra me gjithçka”, u shpreh Matoshi.





