Mbërrijnë nga Italia në Durrës materialet me të cilat do të vishet Veliera.

Projekti i nisur 6 vite më parë me sa duket do të shihet i finalizuar.

“DurrësLajm” mëson nga burime zyrtare të bashkisë se për montimin e pllakave që do të veshin Velierën do të vijë një grup specialistësh nga vendi fqinjë, për shkak të kompleksitetit të këtij procesi.

Prej vitesh, qytetarët durrsakë presin finalizimin e këtij projekti, i cili u shoqërua nga kontestime të shumta që në ditët e para të nisjes së punimeve për shkak se ajo u ndërtua në një nga zonat me potencial më të madh arkeologjik në Durrës.

Punimet për ndërtimin e sheshit prej betoni, nënkalimit për automjet dhe strukturën metalike u realizuan nga bashkimi i kompanive “Everest” dhe “Fusha”, që zbatuan projektin e hartuar nga arkitekti italian, Marko Kazamonti.

Projekti “Veliera” ka kushtuar deri më tani 863.986.115 lekë, fond ky i financuar nga qeveria Rama dhe bashkia Durrës.

Kandidati i PD për bashkinë e Durrësit, Igli Cara, ka deklaruar disa herë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit se në rast fitoreje do të realizojë një referendum popullor për ruajtjen apo shembjen e Velierës.

M.B.