Presidenti Bajram Begaj në konferencën me temë “Praktika gjyqësore e Gjykatës së Lartë, nga identiteti kombëtar tek vlerat universale”në kuadër të 110 vjetorit të Gjykatës së Lartë dhe Ditës së Drejtësisë tha se ky institucion ka një kontribut të pazëvendësueshëm për vendin.
Begaj: Sot është ditë e shenjtë për drejtësinë shqiptare, Dita Kombëtare e Drejtësisë. “Kanuni i Zhurisë” shënoi gurin themeltar të drejtësisë shqiptare dhe të krijimit të Gjykatës së Lartë, 110 vjet më parë. Ky Kanun është akti i parë juridik për organizimin dhe funksionimin e këtij sistemi në shtetin e pavarur shqiptar dhe përbën pikënisjen e krijimit të kulturës e traditës sonë juridike. Ai shërbeu si themel për mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës, duke u përafruar me standardet më të mira ndërkombëtare të kohës. Në këto 110 vjet historia jonë politike ka pasur një rrugëtim jo të lehtë, rrugëtim në të cilin ka kaluar edhe sistemi i drejtësisë në kërkim të arritjes së një sistemi drejtësie të pavarur, të vendosjes së barazisë para ligjit, të një sistemi efiçent e transparent, në interes të shoqërisë e në mbrojtje të vlerave demokratike. Këto parime duhet të udhëheqin punën e magjistratëve në detyrë dhe të atyre që po i afrohen profesionit.
Kontributi i secilit prej nesh këtu prezent, aktorë vendas e ndërkombëtarë, është thelbësor për ndërtimin e një kulture juridike me standarde profesionale dhe etike të larta që përcjell besimin e nevojshëm kundrejt atyre që presin drejtësi. Pikërisht, besimi i publikut tek institucionet e drejtësisë është qëllimi final i të gjithave politikave shtetërore, sepse çdo institucion publik duhet të jetë në shërbim e në funksion të qytetarëve. Pritshmëritë e qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë janë shumë të mëdha, pasi ata presin korrigjimin e padrejtësive me të cilat ndeshen. Në këtë kuptim, Gjykata e Lartë ka një kontribut të pazëvendësueshëm, duke krijuar mundësinë që të kemi një jurisprudencë në përputhje me standardet dhe parimet e të drejtës evropiane, si dhe në respekt të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Demokracia e vërtetë nuk mund të ekzistojë pa një sistem drejtësie që ruan vlerat themelore të shoqërisë, dinjitetin njerëzor e që mbron të drejtat individuale.
Ky ishte qëllimi dhe vizioni i reformës në drejtësi e nisur në vitin 2014 dhe që kulmoi në miratimin e ndryshimeve kushtetuese në vitin 2016.
Ajo synoi të sillte pikërisht një sistem drejtësie të besueshëm, një sistem drejtësie profesional dhe të pavarur, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare, ku ligji sundon, ku nuk ekzistojnë individë të pandëshkueshëm, ku përgatiten gjyqtarë dhe prokurorë që i përgjigjen sfidave të reja të zhvillimit të vendit. Reforma nuk ka qenë e lehtë, sepse ngritja dhe realizimi i saj përfshirë sfidat dhe pengesat, kanë sjellë vonesa përtej parashikimeve kushtetuese e ligjore, madje përtej parashikimeve të hartuesve të reformës. Ka ardhur momenti që me kapërcimin e këtyre vështirësive, të gjithë së bashku, të përdorim rezultatet e reformës si burim energjie dhe si motor për integrimin tonë në Bashkimin Evropian, ashtu siç Kanuni Zhurisë 110 vjet më parë. Të gjithë duhet ta pranojmë se Shqipëria me këtë reformim të sistemit, hodhi një hap të guximshëm, radikal dhe me sfida që janë akoma prezente. Me përmbylljen e saj, duhet të arrijmë një sistem drejtësie funksional dhe në standardet e duhura, ku respektimi i të drejtave themelore të njeriut të jetë qëllim kryesor. Si President dhe qytetar i këtij vendi, kërkoj të garantohet: o Aksesi në drejtësi, i cili lidhet ngushtësisht me hartën e re gjyqësore. Te punohet jo vetem mbi implementimin korrekt të kësaj harte, por edhe mbi perceptimin se harta gjyqësore nuk është kufizim i të drejtës së apelimit, as në sensin e kohës apo të vonesave, as në sensin e aksesit fizik; o Pavarësia e sistemit, e cila është arsyeja e reformës në drejtësi, të japë frytet e veta, në administrimin e sistemit, duke treguar përgjegjësinë e vendosmërinë e nevojshme për t’u shkëputur nga ndikimet politike e fenomenet negative të së shkuarës. Për këtë rol të madh duhet të luajnë të gjithë institucionet e reja të drejtësisë; o Cilësia në drejtësi është dhe duhet të jetë kriteri matës për të përcaktuar punën e të gjithë aktorëve të përfshirë. Nga një anë Shkolla e Magjistraturës me përgatitjen e magjistratëve të rinj dhe nga ana tjetër organet e qeverisjes në drejtësi (KLGJ/KLP/ILD) duhet të punojnë që të ruhet profesionalizmi dhe përgjegjshmëria e magjistratëve në sistem.
Në këto vite, Gjykata e Lartë ka arritur të bëjë punën e vet me pavarësi dhe dinjitet.
Pavarësisht se puna e akumuluar këto vite paraqet akoma sfida e problematika, dua t’i përgëzoj për disa aspekte të punës së tyre lidhur me vendimet e fundit unifikuese, transparencën në komunikim me publikun, si dhe për buletinin mujor, shumë i dobishëm për profesionistët e të drejtës. Është kënaqësi të jem midis jush dhe ju uroj vazhdim të mbarë të kësaj konference. Uroj gjithashtu që institucionet që ju përfaqësoni të jenë një shembull suksesi duke dëshmuar çdo ditë profesionalizëm, integritet, paanshmëri, si dhe duke ruajtur motivimin për rolin që ju keni në ndryshimin e madh e rrënjësor në sistemin tonë të drejtësisë dhe në shoqërinë shqiptare.
Gëzuar Ditën e Drejtësisë!
Gëzuar 110 vjetorin e Gjykatës së Lartë!