Vala e motit të keq që shkaktoi 9 të vdekur në Emilia-Romagna nuk ndalet, alarmi i kuq vijon të jetë në fuqi edhe sot në Romagna.
Niveli i të gjithë lumenjve vazhdon të jetë mbi pragun e emergjencës dhe priten përmbytje të reja të cilat mund të rëndojnë brigjet e dëmtuara.
Gjatë natës janë shënuar përmbytje të reja në zonën e Ravenës. Evakuime janë nisur në Castel Bolognese, gjithashtu në provincën e Ravenës, ku ka pasur problem me mungesën e ujit të pijshëm.
Mediat e huaja raportojnë se është krijuar një radhë prej 14 kilometrash në A1 Milan – Napoli, në seksionin midis Sasso Marconi në veri dhe kryqëzimit me A1 Direttissima në drejtim të Firences, për shkak të një rrëshqitjeje të madhe.
Bashkia e Ravenës ka lëshuar një urdhër evakuimi të menjëhershëm për njerëzit dhe bizneset në Villanova di Ravenna, Filetto dhe Roncalceci, për shkak të rrezikut të përmbytjeve. Bashkia e Ravenës ka informuar njerëzit që të kufizojnë lëvizjet e tyre nëpër këtë zonë.