128 punonjës të administratave të drejtësisë janë gjobitur nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për mosdeklarimin e të ardhurave.

Për verifikimin e pasurive gjatë vitit të shkuar janë hetuar nga Inspektoriati edhe 264 kandidatë në institucionet e sistemit të drejtësisë si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Megjithatë, verifikimet e ILDKP shkojnë edhe përtej raportit, kur në një pjesë dërrmuese shkarkimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve në vetting vjen pikërisht sepse nuk justifikojnë pasuritë me të ardhurat që kanë pasur ndër vite.

Në dokumentin e dorëzuar në parlament ndër të tjera thuhet se janë 20 institucione që nuk kanë marrë në mbrojtje sinjalizuesit, të cilët kanë detyrë të raportojnë rastet e korrupsionit.

Janë 278 raste kur si në shtet edhe në privat janë dorëzuar të dhëna për dyshime mbi afera të paligjshme.

Prej tyre janë trajtuar 13 denoncime prej të cilave 12 i përkasin administratës shtetërore dhe në një tjetër subjekteve private.

Por edhe pse dosjet janë dërguar në mënyrë anonime, dy sinjalizues janë zbuluar dhe kanë kërkuar mbrojtje prej hakmarrjes.

Përgjatë periudhës 2014-2022 janë gjobitur në total 2,017 subjekte deklaruese për shkelje si “refuzim i deklarimit të pasurisë”, apo “mosdeklarimin e pasurisë”.