Nga BUJAR QESJA
Nuk kishte se si ta harroja djalin shumë simpatik, djalin me zemër dhe shpirt të falur teatrit, me emrin e pashuar Kastriot Ahmeti. Ishte 4 maj 2002, ku me një grup artistësh, kemi kryer udhëtimin më tronditës dhe më të dhëmbshur. Për në varrezat e Sharrës, shoqëruam arkivolin me trupin e pajetë të Kastriot Ahmetit, Kaçit tonë aq të ëmbël, ëndërrues dhe përkushtues ndaj teatrit.
Në majin e luleve, përcollëm një lule njerëzore, një lule të skenës dhe të artit, një shok e mik të dashur, një djalosh që nuk ngopej të fliste për teatrin nga mëngjesi deri në mbrëmje. Më dhëmb ikja e tij. E kur shikoj në skenë, të bëjnë teatër bashkëmoshatarët, mëndja më shkon tek Kastriot Ahmeti, Kaçi i gjallë dhe shumë energjik.
Shtatlartë, me një hap zotnish, me cigaren në gishtërinjtë e zverdhur, me dosjen e punës në duar, flokët kaçurela e komunikim më shumë se njerëzor. Kështu e mbaj mënd dhe kështu deri në fund, do ta mbaj mënd. U lind në Durrës me 6 korrik 1965, vit që është përuruar ndërtesa e Teatri të famshëm “A. Moisiu”. Për ta nxitur fantazinë, më dukej se provat e para në skenë, i bëri që në bark të nënës, për të treguar më vonë, se teatri do bëhej dobësia e tij më e madhe.
Pasi përfundoi studimet në shkollën e mesme, pa as më të voglin hezitim, fitoi të drejtën për në Universitetin e Arteve- dega dramaturgji. Me 16 janar të vitit 1990, ku Teatri “A. Moisiu” kishte kremtuar 47 vjetorin e krijimit, vjen të fillojë punë ky Kastriot Ahmeti. Ai e dinte fort mirë se ku po vinte këmbë, në teatrin e stekave të njohura të aktrimit si Xhoja, Athanas, Heba, Urumi, Kabashi, Ferri, Hoxha, Kola, Radoja, Bega, Ujkaj, Burda, Profi etj. dhe dëshironte të mos e ulte konkurencën.
Shumë i shoqërueshëm, filloi të bie në sy të artëdashësve durrsakë, të cilët e mbështetën që në hapat e para. Në arkivën e teatrit, mundëm të zbulonim shtatë pjesët teatrale që është aktivizuar Kastriot Ahmeti. E nisi me “Shtëpia e lepujve” dhe e vijoi me “Qyteti pa dashuri”, “Transferimi i personalitetit”, “ Markofla dhe dashnorët e saj”,” Meduza në Otranto”, “Policët”, për ta përfunduar me “Trokitje në dyert e dhimbjes”.
Dallonte për timbrin e zërit, duke e pushtuar menjëherë vëmëndjen e shikuesit. Aktrimi i Ahmetit të mbërthente dhe të detyronte ta ndiqje me interes. Jo rrallë ai duartrokitej gjatë çfaqjes, pa pritur mbarimin e saj dhe në fund si gjithnjë suksesi. Kastrioti ishte aktiv në jetën e qytetit. E donte shoqërinë dhe linte kokën për të. Jo pak foto janë në arkivën tonë, ku ai ndodhet në mes miqëve dhe shokëve, në mes kolegëve dhe amatorëve të teatrit. Dhe gjithnëj ishte i njëjti, i miri, i urti dhe hokatari Kastriot Ahmeti.
Në shoqatën “Durrësi” të kohës së Myderrizit dhe Metanit, ky Ahmeti aktivizohej në moderimin e mjaft veprimtarive pikante. Bukuria dhe shtatlartësia i shkonin shumë skenës, e mbushte hapësirën siç thuhet në kësi rastesh. Emri i njohur i fotografisë durrsake, arkivuesi i jetës teatrore dhe i relikeve të rralla Luan Jaupi, përlotet kur të flet për Kastriot Ahmetin.
-Ishte shoku im më i mirë, shprehet Jaupi. Bisedat me të mbeten nga më tërheqëset. Kishte kulturë dhe dëshirë për teatrin, i kalonte kufijtë e pasionit. Fliste për shokët dhe kolegët. I respektonte shumë. E donte Durrësin dhe ishte shkrirë me jetën sociale dhe artistike të qytetit. Më dogji sa s’bëhet, largimi i tij nga jeta. Kështu ishte shkruar.
Nuk pata fatin të punoja me Kastriotin, në kohën kur mora detyrën e drejtorit të Teatrit “A. Moisiu”. Kaçin një sëmundje e pashërueshme, e kishte shtrirë në shtratin e lëngimit. U vendos në Tiranë tek të afërmit. Mbaj mënd që komunikoja përditë dhe pyesja për shëndetitn e tij. Ishte në organikën e trupës dhe asnjëherë nuk menduam se na mungonte.
Tronditja lexohej në bisedat tona. Kaçi “i bukuri i dheut”, po kalonte ditët e fundit të jetës. Vetëm 37 vjeç. O gjëmë e madhe! Në jetën 70-të vjeçare të teatrit, duhej të thuheshin disa fjalë për Kastriot Ahmetin, pasi sipas asaj që unë di, është aktori me moshën më të re, që largohet nga jeta në marrdhënie pune. Është edhe Kadri Pirro miku im i rrallë, që na ligështoi pa mbushur të 40-tat. Por Kastriot Ahmeti, mbetet më i riu.
Lajmet nga Tirana vinin të trishtueshme. Djaloshi tërheqës, me pyllin e dëndur të kaçurelave mbi krye, me hapin gjigand të një fiziku po të tillë, me kostumin që ishte pjesë e përditshme e veshjes, po e humbiste frymëmarrjen. I bukuri çun, i mënçuri dhe i talentuari ynë, djali më i hijshëm që kam parë në teatër, 37 vjeçari Kastriot Ahmeti, nuk mundi ti mbijetoi sëmundjes së rëndë.
Me 4 maj 2002 në arkivën e Teatrit “A. Moisiu” , në dosjen ku lexohet emri i aktorit Kastriot Ahmeti, shënohet edhe kjo ditë e ndarjes nga jeta. 37 vjeçar. Humbje e madhe për teatrin tonë. Por edhe tronditje e pazakontë, për ndalimin e jetës të një djali të ri. Ëndërra të ndërprera. Plane dhe projekte të pazbatuara. Humbje që dhëmb. Po të jetonte Kastriot Ahmeti, tani do të ishte 58 vjeç. Edhe këtu, do të ishte shumë i ri.
Ndonëse kanë kaluar 21 vite nga 4 maji 2002, na duket se Kastriot Ahmeti, ndodhet pranë nesh. Nuk mund të harrohet e qeshura e tij, shakatë plot lëng. E si në çdo rast, kishim shumë dëshirë të dëgjonim zërin e plotë, zërin kumbues, që elektrizonte sallën të aktorit tërheqës Kastriot Ahmeti.
E kisha vendosur në angazhimet e mia, që kur erdhi 70-të vjetori i krijimit të Teatrit “A. Moisiu”, për t’iu kushtuar në një shkrim këtij talenti të skenës. Por prita të vinte maji, ku Kaçi do të ishte në vitin e 21-të të largimit nga jeta. Aroma e luleve të majit ndjehet dyfish. Së pari në kopështin skenik të teatrit dhe së dyti, nga amfiteatri natyror i varrezave të Sharrës.
Dhe në mermerin e ftohtë, lexohet me ngrohtësi shpirtërore, emri i aktorit më të ri të Teatrit “A. Moisiu” të Durrësit, të ndarë nga jeta. Dhe ky emër është Kastriot Ahmeti. Gjithnjë në paqe, me dheun e tokës tënde Kaçi!
Bujar Qesja
Durrës: 22 maj 2023