“Ata të opozitës, marrin udhëzime nga terroristët që janë në malin e Kandilit. Ne, marrim udhëzime nga Allahu dhe nga populli ynë. Ky është ndryshimi ynë. Kështu kemi bërë deri tani, e kështu do të vazhdojmë”.

Me këtë deklaratë të fortë, Rexhep Tajip Erdogan e shënjestroi ashpër rivalin e tij Kemal Kilicdaroglu vetëm tre ditë përpara balotazhit të së dielës, që do të vendosë fatin e Turqisë. Qoftë përmes videove apo deklaratave, krerët e grupit terrorist PKK po kërkojnë publikisht vota për Kılıçdaroğlu, të cilit nuk i skuqet faqja për financimin e tyre, u shprehu kreu i shtetit turk.

Në kohën kur edhe pak ditë kanë mbetur nga votimet kyçe të së dielës, një video e diskutueshme u kthye në një shkëndijë të re përplasjesh mes dy liderëve. Pamjet që tregonin Kılıçdaroğlu me krerët e PKK-së në Kandil, një rajon i Irakut verior i konsideruar si bastion i grupit të fajësuar në të shkuarën për sulme në Turqi, u shfaqën në klipet e fushatës së Erdoganit, por më vonë u zbulua se ato ishin edituar ndjeshëm nga dy video të veçanta.Kılıçdaroğlu, kreu i Partisë Republikane Popullore (CHP) dhe kandidati i përbashkët i një blloku opozitar gjashtëpartiak, e dënoi videon dhe e akuzoi Erdoganin se po përdorte “pamje të rreme në fushatën e tij”, por ky i fundit nuk u tërhoq.

“Videoja është produkt i disa të rinjve shakaxhinj, por mesazhi është i qartë,” u shpreh ai në një miting në provincën qendrore të Sivas. Kiliçdaroglu është përpjekur së fundit të tërheqë votuesit nacionalistë me qasje kundër refugjatëve dhe qëndrime të forta mbi çështjet e sigurisë. Kjo është pjesë e përpjekjeve të zotit Kiliçdaroglu për të marrë më shumë mbështetje se sa presidenti aktual Rexhep Tajip Erdogan.

Ai ka premtuar të kthejë në shtëpi miliona refugjatë sirianë dhe të mbrojë vendin nga kërcënimet terroriste.