Ekonomia gjermane ka rënë në recesion. Sa dramatike paraqitet gjendja?
Fillimisht pandemia e koronës me të gjitha pasojat e saj – për shembull problemet dramatike në zinxhirët e furnizimit, pastaj lufta e Ukrainës: ekonomia gjermane u përball vitet e fundit me një goditje të dyfishtë. Çmimet dhe normat e interesit po rriten, pengesat në furnizime dhe mungesat e energjisë po e rëndojnë ekonominë – dhe sipas teorive të ekonomistëve, ajo ekonomia po shkon lart e poshtë në formë valësh. Zakonisht ekonomistët flasin për katër faza:
-Rritje ekonomike apo prosperitet
-Bum ekonomik
-Recesion
-Depresion ekonomik
Recesioni nënkupton rënien, p.sh. kur kapacitetet prodhuese nuk shfrytëzohen më tërësisht për shkak se bie si niveli i eksportit në tregtinë e jashtme edhe kërkesa për mallra dhe shërbime në tregun e brendshëm.
Konsumatorëve u duhet të paguajë shumë para për energjinë
Një gjë e tillë mund të ndodhë shumë shpejt, jo vetëm në Gjermani, sepse konsumatorëve u duhet të paguajë shumë para për shkak të çmimeve të larta të energjisë gjë që shpie në rënien e fuqisë blerëse për prodhime të tjera.
Prodhim i brendshëm bruto
Si masë standarde për ciklet ekonomike konsiderohet i shumëcituari prodhim i brendshëm bruto, ose shkurt PBB. Ky term përfaqëson vlerën e të gjitha shërbimeve dhe mallrave të prodhuara në një periudhë të caktuar kohore.
Nëse PBB-ja tkurret për dy tremujorë radhazi, bëhet fjalë për “recesion teknik” – i cili kërcënoi Gjermaninë në fund të vitit 2021 pasi PBB-ja ishte tkurrur me 0.3 për qind në tremujorin e fundit të vitit si rezultat i pandemisë së koronës. Në tre muajt e parë të vitit 2022, prodhimi ekonomik u rrit me 0.2 për qind. Por në pranverën e vitit 2023 gjendja paraqitet ndryshe. Sepse ekonomia gjermane u tkurr si në tremujorin e fundit të vitit 2022 ashtu edhe në tremujorin e parë të vitit aktual.
Depresioni ekonomik si skenar horrori
Nëse një recesion zgjat për një periudhë relativisht të gjatë kohore, ai mund të shndërrohet në një krizë të vërtetë ekonomike. Ne të tilla raste flitet për depresion ekonomik: papunësia dhe numri i falimentimeve rritet, mallrat mbeten stok në depo. Skenarin e tmerrshëm e plotësojnë krizat financiare, rëniet e bursave dhe falimentimet e bankave.
Mjet kurues: programet shtetërore të ndihmave
Prandaj është e rëndësishme që shteti të parandalojë rënien në depresion dhe rrjedhimisht rënien në fazën më të ulët të ciklit ekonomik. Prandaj qeveria do të përpiqet t’i kundërvihet recesionit që po zhvillohet në vend ose që ai të zgjasë sa më pak që të jetë e mundur. Mjete të sprovuara për ta bërë këtë janë paketat e lehtësimit për kompanitë dhe qytetarët, si ndihmat qeveritare dhe ulja e taksave./ DW