Autoritetet ruse thanë se rajoni jugor rus Belgorod në kufi me Ukrainën u sulmua të premten nga dronë dhe artileria ukrainase, disa orë pasi dy dronë goditën një qytet rus në një zonë pranë gadishullit të aneksuar të Krimesë.
Ndërkohë, zyrtarët ukrainas, thanë se forcat e Moskës goditën një ndërtesë në qytetin Dnipro, në Ukrainën qendrore, ku ndodhej një klinikë mjekësore duke lënë të vrarë dy persona dhe plagosur 30 të tjerë, përfshirë dy fëmijë.
Videoja e publikuar nga guvernatori rajonal Serhiy Lysak tregonte se zjarri përfshiu ndërtesën trekatëshe që dukej pothuajse e shkatërruar, të cilës i kishte mbetur vetëm një pjesë muri, ndërsa zjarrfikësit luftonin me flakët.
Ministria britanike e Mbrojtjes konfirmoi gjithashtu, në njoftimin e saj të përditshëm mbi Ukrainën, se “ka gjasa që forcat e Grupit Wagner kanë filluar të tërhiqen nga disa nga pozicionet e tyre rreth qytetit Bakhmut të rajonit të Donetskut”.
Ndërkaq, nisja e tërheqjes së grupit Wanger nga Bakhmuti u konfirmua nga Këshilltari për Mbrojtjen dhe Sigurinë Kommbëtare të Ukrainës, Oleksiy Danilov gjatë një interviste për rrjetin britanik BBC.
Mes të tjerash ai tha se ishte plotësisht i qetë mbi njoftimet se Rusia kishte filluar dislokimin e armëve bërthamore në Bjellorusi.
Ai shtoi se Ukraina është përgatitur për të nisur kundërofensivën e pritshme ndaj Rusisë, po pa dhënë një afat kohor.
Ndërkohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në fjalimin e tij të përditshëm të premten se Ukraina po bën “përparim thelbësor në sigurimin e avionëve modernë”.
Ai tha se procesi i modernizimit të mbrojtjes është “duke ecur më shpejt” nga sa ishte parashikuar gjashtë muaj më parë./VOA