Zona e pyllëzuar në Sektor Rinia është një nga hapësirat e gjelbërta më të bukura të bashkisë Durrës.
E shfrytëzuar shpesh për piknike të ndryshme, nga banorët e zonës apo qytetarët e Durrësit, kjo hapësirë “përmbytet” shpesh nga mbeturinat urbane.
Me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit dhe 3-vjetorit të krijimit të lëvizjes vullnetare RiverCleanup Albania, aksioni i tyre i radhës u përqendrua pikërisht në pyllin e bukur me pisha, ku krahas vullnetarëve këtë herë ishte e pranishme edhe Ministrja e Shtetit për Rininë dhe fëmijët, Bora Muzhaqi.
Pjesë e aksionit ku u mblodhën rreth 315 kg mbetje të ngurta u bënë 148 vullnetarë, kryesisht nxënës dhe mësues nga 12 shkolla të Durrësit dhe studentë e pedagogë të UAMD-së.
Me dhjetëra kg plastikë dhe qelq u mblodh nga nxënësit e shkollave të Durrësit, të cilët apeluan së bashku me mësuesit e tyre për ruajtjen dhe mbajtjen pastër të mjedisit.
Këtij apeli iu bashkua edhe ministrja Muzhaqi.
“Ndërgjegjësimi dhe angazhimi i fëmijëve dhe të rinjve në veprimtarinë e pastrimit është thelbësor në edukimin e brezit të ri për mbrojtjen e natyrës dhe për të kuptuar se mbajtja pastër e ambientit që na rrethon nuk është vetëm detyrë e bashkisë apo qeverisë, por mbi të gjitha është një detyrë qytetare, për t’i siguruar vetes dhe brezave të ardhshëm një ambient të bukur, të pastër dhe dinjitoz për të jetuar”,– shkruan ajo në një postim në rrjete sociale.
Një pjesë e konsiderueshme e mbeturinave urbane që grumbullohen në këtë zonë shpesh shkaktohen nga papërgjegjshmëria e vetë qytetarëve, që pas piknikëve lënë pas gjithçka që konsumohet prej tyre, duke shkaktuar një dëm të drejtpërdrejtë në ambientin përreth.
Ky është aksioni i dytë radhazi që RiverCleanup Albania bën në këtë zonë në harkun kohor të pak ditëve.
Me datë 25 maj, bashkia Durrës, së bashku me vullnetarë të lëvizjes River Cleanup dhe nxënës të shkollave të mesme të qytetit, organizuan në Sektor Rinia një aktivitet sensibilizues për pastrimin e ambientit.











