Aktori i njohur i humorit, Ledio Lako është prekur nga koronavirusi së bashku me gjithë familjen.

Ai ka treguar në emisionin “Shqipëria live” se fillimisht kishte rezultuar babai i tij me Covid, i cili ka patur shenja të rënda, më pas nëna dhe të gjithë anëtarët e familjes.

“Unë e kisha bërë tamponin, pasi babai im doli pozitiv me Covid-19. Më vonë edhe mami tha se nuk ishte mirë. Të shtunën më thotë vëllai se nuk jam mirë së bashku me familjen e tij. Tamponin e kisha bërë 2 herë brenda një jave. Por më thanë se do të rrija në shtëpi se isha në kontakt me persona të prekur nga Covid-19. Të hënën më morën në telefon se kisha dalë negativ, e gjithë familja pozitive. Pas dy orësh më morën në telefon dhe më thanë se isha pozitiv. Kur mora lajmin isha në spital se kisha dërguar mamanë për të bërë një skaner. Lajmërova Top Channel, eprorët dhe gjithë kolegët. Babai e ka kaluar shumë keq. Qëndroi 8 ditë në shtëpi, e më pas e shtruam në Sanatorium. Janë treguar të gjithë të gatshëm që nga mjekët e deri tek infermierët. 13 ditë qëndroi në spital. Babai rrezikoi jetën, ishim 50-50 për të mos thënë 60 për të ikur dhe 40% për të jetuar. Isha i vetmi në shtëpi se mund ta humbja babanë. 76 vjeç, shumë aktiv. Por kisha frikë sepse i ra shumë imuniteti, trupi. Zëri i kishte ikur fare, diabeti ju shfaq, se nuk ka patur ndonjëherë”, tha Lako në rrëfimin e tij.