Zyra e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti ka reaguar në lidhje me propozimin e kryeministrit Edi Rama për draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në reagim sqarohet se çështja e marrëveshjeve të mëparshme për asociacionin, është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës.
“Çështja e kryetarëve të katër komunave në veri të vendit është çështje e respektimit të kushtetutës, sundimit të ligjit dhe ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve tanë, që për shkak të bojkotit të diktuar nga Serbia u kishin munguar për plot 6 muaj.
Çështja e marrëveshjeve të mëhershme për asociacionin e komunave me shumicë serbe është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës, dhe kjo u dëshmua me draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues që drejtohej nga deputetja e Vuçiçit që synonte një Republika Srbska në Kosovë dhe së fundmi me Non-paperin e Akademisë së Shkencave dhe e Artit e Serbisë që flet për “Botën Serbe”.
Në të dy rastet në pyetje është Kosova. Në të dy rastet rreziku është Serbia. Ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë, e kuptojnë këtë. Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë.”-thuhet në reagimin për Top Channel.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ditën e djeshme u ka dërguar një draft për Asociacionin, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Rama ka thënë se dokumenti është konfidencial, por është shprehur i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.