Janë zbuluar detaje nga dosja hetimore lidhur me kontrollet në kampin e MEK në Manzë të Durrësit.

Sipas informacioneve, vendimi i Gjykatës së Posaçme për kontrolle në kampin e MEK ka ardhur pas sinjalizimeve nga partnerët jashtë Shqipërisë.

Informacion shtesë ka pasur edhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, ndërsa SPAK po heton në një dosje të vetme, dy çështje të ndryshme.

Mësohet se anëtarët e MEK, kanë patur veprimtari jo në dëm të shtetasve shqiptar por për vende të tjera. Dyshohet se anëtarët e MEK kanë tentuar të hakerojnë sistemet shtetërore të Iranit.

Sipas Report tv, episodi i parë i dyshuar është sulmi ndaj Ministrisë së Jashtme të Iranit, të cilës i janë kopjuar 210 faqe materiale të dhëna prej 50 terrabite.

Procedimi është regjistruar rreth 2 muaj më parë për veprat penale “Provokimi i luftës”, “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”, të cilat dyshohet se janë kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Ndërkaq, pajisjet e sekuestruara nga policia gjatë operacionit të së martës, do të dërgohen në laborator për tu ekzaminuar.

Nga të dhënat që do përftohen, varet edhe iniciativa e SPAK për urdhër arreste të mundshme.