Akademiku Artan Fuga e ka cilësuar masë administrative draftin e qeverisë për të vendosur diplomimin e studentëve të Mjekësisë pas tre viteve punë në Shqipëri.

Gjatë një interviste ai deklaroi se për të mbajtur mjekët në Shqipëri duhen ndjekur politika të tjera duke nisur nga pagat, kushtet apo benefitet e tjera.

Po ashtu Fuga theksoi se ministria duhet të ketë një studim për të pasur disa shifra të caktuara sa studentë kemi në mjekësi sa mjekë na duhen sot dhe në të ardhmen.

“Kjo është një masë administrative. Ka një politikë tjetër që duhet bërë për të mbajtur mjekët dhe infermierët, Në radhë të parë pagat, kushtet materiale, benefitet e tjera. Është ajo që quhet mbështetje dhe duhet studiuar. Sa mjekë na duhen sot dhe në të ardhmen. Çfarë lloj profesionesh në mjekësi na duhen. Sa kemi studentë në mjekësi.

Me çfarë metodash mund të përmirësojmë arsimin. Unë pyes nëse Ministria e Arsimit ka një studim të kësaj natyre. Dialogu duhet me argumente. Nuk kam parë që ministritë të kenë një studim dhe të bëjnë takime me ekspertë dhe mjekë të njohur. Për një kohë të gjatë, javë dhe muaj për të parë cilat janë rrugët për ta zgjidhur këtë. Problemi ekziston. Nuk mund të dal unë të them që problemi nuk ekziston fare”, deklaroi Fuga.