Universiteti i Korçës, i cili prej vitesh është përballur me uljen e numrit të studentëve dhe mbylljen e programeve të studimit hedh hapin e parë për t’iu bashkuar Universitetit të Tiranës.

Senati i Universitetit “Fan Noli”, në mënyrë unanime ka votuar propozimin për ta kthyer këtë të fundit në një korpus të universitetit të Tiranës çka synon rritjen e cilësisë së mësimdhënies por edhe një qasje më të mirë të programeve përballë tregut të punës.

Pas vendimit të senatit të Korçës pritet shqyrtimi i kërkesës dhe vendimmarrja e Universitetit të Tiranës më pas do të duhet miratimi i Këshillit të Ministrave për të nisur procedurën e bashkimit.

Universiteti “Fan Noli” është i pari në vend që shkon drejt profilizimit, dhe riorginizimi i tij pritet të nisë vitin e ardhshëm.