Rritja e pagave do të shtojë të ardhurat në skemën e pensioneve. Vendimi, i cili nis zbatimin nga muaji maj do të prekë rreth 130 mijë punonjës të administratës publike, në nivel qendror ashtu dhe lokal ndërkohë që ka rritur gjithashtu edhe presionin ndaj sektorit privat për të paguar më tepër personelin.

Ekspertët shpjegojnë sesi ndryshimi i pagave do të ndikojë në rritjen e pensioneve të qytetarëve. Ekspertja për çështjet ekonomike, Teuta Nunaj Kortoçi, në një intervistë për “Sheshi i Dollarit” me gazetaren Genta Dobra tha se ka një sërë faktorësh që krijojnë vëvshtirësi në skemën e pensioneve.

Sipas saj, e para është informaliteti i lartë në tregun e punës.

“E para lidhet me informalitetin në tregun e punës. Thamë që skema përbëhet nga fondi i sigurimeve shoqërore. Do të thotë se nëse të gjithë individët e punësuar do ta derdhin të plotë vlerën e kontributeve në bazë të pagës reale, atëherë edhe vlera e kontributeve do të jetë shumë herë më e madhe. Por duke qenë se e kemi prezent informalitetin, edhe kur individi nuk deklarohet si i punësuar, automatikisht kemi të bëjmë me një efekt.  Efekti i dytë ka të bëjë me individët e punësuar por që nuk deklarojnë pagën reale.

Atëherë përqindja që paguhet për sigurimet shoqërore është më e ulët sepse paga që deklarojnë është më e ulët. Informaliteti e dëmton skemën sepse mbledhim më pak të ardhura. Tjetër është emigrimi. Largimi i punonjësve real ul numrin e këtyre kontribuesve. Efekti i tretë është demografik.  Numri në rritje gjithmonë e më i madh i grupi të pensionistëve, do të thotë që do të nevojiten gjithmonë e më tepër para si shpenzime për këtë zë që është i pensioneve. Nëse ulim numrin e kontribuesve dhe rrisim numrin e pensionistëve, krijohet një raport i zhdrejtë.”, theksoi ekspertja.

E pyetur se si do të ndikojë rritja e pagave në skemën e pensioneve, ekspertja tha se rritja në sektorin publik nuk ndikon por efekt do të kishte nëse do të ketë rritje pagash edhe në sektorin privat.

“Nëse flasim për rritjen e pagave në sektorin publik, ndikimi i tyre në skemën e pensioneve është thuajse zero. Pavarësisht nëse rritet paga, do të thotë se janë marrë para nga buxheti i shtetit për të paguar punonjësit. Këta punonjës do të paguajnë më shumë kontribute dhe do të derdhin më shumë para në buxhetin e shtetit. Në vetvete, atje ku jep shteti, atje merr ndaj në këtë rast efekti është në skemën e pensioneve. Por mund ta përmirësonin vetëm në rast nëse do të kemi rritje të pagave dhe deklarim të pagave reale që vijnë nga sektori privat sepse ata janë ata që derdhin të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe nuk tërheqin shpenzime në buxhet.“, shtoi ekspertja./abcnews.al