SPAK nuk pranon të hetojë dhe kthen mbrapsht në Prokurorinë e Durrësit dosjen penale ndaj dy vëllezërve të penduar, Indrit e Gentian Beqiri, të cilët u mbajtën peng disa orë dhe pas lirimit, ata vendosën të bashkëpunonin me drejtësinë, duke rrëfyer krime të rënda të ndodhura në Tiranë e Durrës.

Gjykata e Durrësit gjatë caktimit të masës së sigurisë për të dyshuarit u shpreh se Beqirajt në bashkëpunim me persona të tjerë kishin vepruar si grup i strukturuar kriminal dhe mbi bazën e këtij vendimi prokuroria vendosi të shpallë moskompetencën dhe t’ja kalojë dosjen penale SPAK.

Pasi shqyrtoi nga afër aktet e dosjes, prokuroria e Posaçme i ktheu fashikujt në Durrës, me argumentin se edhe nuk ka element të grupit të strukturuar kriminal.

Prokuroria e Durrësit po heton për të gjetur fakte të reja që provojnë deklarimet e vëllezërve të penduar. Indrit e Gentian Beqiraj u mbajtën peng disa orë nga njerëzit e afërt të Aleksandër Lahos alias pëllumb Muharremit i njohur si Rrumi.

Pasi u liruan, ata iu shpjeguan hetuesve se kishin marrë porosi për të survejuar Rrumin me qëllim eliminimin e tij.

Mbi bazën e dëshmisë së tyre, prokurori shpalli në kërkim Aleksandër Lahon, i cili më herët i kishte mbijetuar atentatit të 1 nëntorit 2019 tek mbikalimi i Shkozetit mbi automjetin e ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj.

Vëllezërit Beqiraj rrëfyen edhe krime të tjera të rënda, siç ishte masakra e Don Boskos, ku mbeti viktimë shtetasi Erion Çela si dhe u plagosën disa persona të tjerë.

Beqirajt thanë në prokurori se Cela u vrau gabimisht nga Kevin Suci, me urdhër të Kasandër Nogës, i cili kishte porositur vrasjen e kundërshtarit të tij, Geron Hasanballiu.

5 muaj nga vrasja e Erion Çelës, Beqirajt thanë se morën një tjetër porosi, për të ekzekutuar në Sukth, Arben Mërkurin, i njohur ndryshe si “Maneci”, por siç shpjeguan më pas ata nuk e kryen krimin. Ata pretendojnë se për krimet e kryera merrnin pagesa të majme.