Trafikantët shqiptarë të klandestinëve po përdorin vendimin e Gjykatës së Apelit në Britani, që rrëzoi planin e qeverisë britanike për dëbimin e emigrantëve.

Dëbimi i emigrantëve në Ruanda u cilësua i paligjshëm dhe i pasigurt, duke bërë që shqiptarët të mos të humbin fare kohe dhe të promovojnë sërish në rrjetin social Tik Tok, kalimet në kanalin e La Manshit me anije të vogla.

Prestigjiozja “The Telegraph” në një artikull të saj shkruan se postimet e bandave shqiptare në Tik Tok i bëjnë jehonë këtij vendimi të Gjykatës së Apelit duke iu sqaruar atyre se nuk do largohen nga Mbretëria e Bashkuar nëse hyjnë aty në mënyrë të paligjshme.

Njëra madje mban imazhe nga një televizion shqiptar që raporton mbi vendimin e Gjykatës së Apelit të javës së kaluar me titullin: Nuk ka azilkërkues në Ruandë.

Mbi imazhin e spikeres së lajmeve trafikantët shkruajnë “Nuk ka kthim për shqiptarët që shkojnë në Angli me anije. Më kontaktoni nëse dëshironi të shkoni edhe ju.”

Kujtojmë se pak ditë më parë, Gjykata e Apelit në Londër rrëzoi planin e qeverisë britanike për dëbimin e emigrantëve në Ruanda. Por pavarësisht se e respektonin këtë vendim, kryeministri Rishi Sunak dhe Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman janë shprehur se do ta apelojnë në Gjykatën e Lartë dhe se argumenti “Ruanda s’është e sigurt” është shterpë, pasi sipas tyre është.