Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka prezantuar raportin vjetor për punën e prokurorisë për vitin 2022.
Gjatë fjalës së tij, prokurori Çela ka thënë se për vitin 2022 janë regjistruar 111 procese të verifikimit të plotë të të dhënave të formularëve të vetëdeklarimit të subjekteve të këtij ligji.
Nga këto kërkesa, për verifikim të plotë të regjistruara në vitin 2022, prokurori Olsian Çela thotë se rezulton se për 76 kërkesa, ka përfunduar procesi i verifikimi të thelluar, ndërsa për 35 kërkesa, procesi i verifikimit ka vijuar për vitin 2023.
Prokurori shprehet se shkaku kryesor i mospërfundimit dhe vijimit edhe për vitin 2023 të të gjithë proceseve të verifikimit të të dhënave në formularët e vetëdeklarimit, vazhdon të jenë vonesa në kthimin e përgjigjeve, për informacionin e kërkuar, nga autoritetet e huaja policore dhe gjyqësore, si dhe mungesa e një regjistri të shtetasve shqiptar të dënuar jashtë vendit.
Olsian Çela: Prokuroria e Përgjithshme, në zbatim të ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, vendimit të Kuvendit nr.17, datë 04.03.2016, dhe udhëzimit nr.18/2020 të Prokurorit të Përgjithshëm, përgjatë vitit 2022 ka vijuar punën intensivisht dhe ka trajtuar çdo kërkesë të përcjellë nga institucionet përgjegjëse për verifikim të thelluar të të dhënave të pasqyruara në formularët e vetëdeklarimit nga subjektet të këtij ligji.
i) Për vitin 2022 janë regjistruar 111 procese të verifikimit të plotë të të dhënave të formularëve të vetëdeklarimit të subjekteve të këtij ligji, si vijon:
– 59 (pesëdhjetë e nëntë) nga Departamenti Administratës Publike;
– 3 (tre) nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve,
– 24 (njëzet e katër) nga Këshilli i Lartë Gjyqësor;
– 24 (njëzet e katër) nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi;
ii) Ndërkohë, niveli hiearkik i subjekteve sipas funksioneve publike që ushtrojnë, për të cilët është kërkuar verifikimi i thelluar sipas ligjit paraqitet si më poshtë:
– për 52 (pesëdhjetë e dy) subjekte, “Zyrtar i Lartë” ;
– për 19 (nëntëmbëdhjetë) subjekte, “Nivel Ekzekutiv”;
– për 21 (njëzet e një) subjekte, “Nivel Drejtues”;
– për 19 (tetëmbëdhjetë) subjekte, “Nivel i Mesëm Drejtues”.
iii) Nga këto kërkesa për verifikim të plotë të regjistruara më vitin 2022, rezulton se: për 76 kërkesa ka përfunduar procesi i verifikimi të thelluar, ndërsa për 35 kërkesa, procesi i verifikimit ka vijuar për vitin 2023.
Shkaku kryesor i mospërfundimit dhe vijimit edhe për vitin 2023 të të gjithë proceseve të verifikimit të të dhënave në formularët e vetëdeklarimit, vazhdon të jenë vonesa në kthimin e përgjigjeve, për informacionin e kërkuar, nga autoritetet e huaja policore dhe gjyqësore, si dhe mungesa e një regjistri të shtetasve shqiptar të dënuar jashtë vendit në zbatim të nenit 29 të ligjit nr.10193/2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, i ndryshuar.