Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, dekretoi lirimet dhe emërimet e disa ambasadorëve.

Dekreti shkarkon ambasadorin tonë në Malin e Zi, Ridi Kurtezi.

Në vend të tij është emëruar Zhaklina Peto.

Ridi Kurtezi është emëruar Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, rezident.

Gjithashtu është shkarkuar Artur Kuko nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë, rezident.

Sakaq është liruar edhe Adia Sakiqi, deri sot ambasadore e Shqipërisë në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta, rezident. Ajo ishte edhe ambasadore pranë Organizatave për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), jorezidente.

Megjithatë Adia Sakiqi është emëruar ambasadore në Gjermani, në vend të Kukos.

Një tjetër lirim nga detyra është ai i Kastriot Robos nga detyra e ambasadorit në Republikën e Turqisë, rezident.

Robo ishte njëkohësisht ambasador edhe në Republikën e Azerbajxhanit, në Republikën Islamike të Iranit, në Republikën e Kirgistanit, në Republikën Islamike të Pakistanit, në Gjeorgji, në Republikën Islamike të Afganistanit dhe në Republikën e Kazakistanit, si jorezident.

Blerta Kadzadej është emëruar në vend të Robos.

Me dekret të Begajt është liruar edhe Floreta Faber si ambasadore e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezident, si dhe nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Meksikës, Republikën e Panamasë, Republikën Domenikane, Republikën e Guatemalës dhe në Republikën e Kosta Rikës, jorezident.

Ervin Bushati ka zënë vendin e Faber.