Skandal në Zambia pak ditë para fillimit të Kupës së Botës për femra. Trajneri i kombëtares së këtij vendi po hetohet për abuzim seksual të disa lojtarëve.

Zambia është një nga rivalët e Spanjës në fazën e grupeve.

Shoqata e Futbollit të Zambias (FAZ) informoi FIFA-n në shtator 2022 për një hetim të hapur ndaj Bruce Mwape, trajner që nga viti 2018, dhe trajnerit U-17, Kaluba Kangwa.

“Nëse Mwape dëshiron të flejë me dikë, ju duhet të thoni po. Është normale që trajneri të flejë me lojtaret e ekipit tonë”, tha për “The Guardian” një lojtare që nuk donte të identifikohej.

Përveç kësaj, një burim i afërt siguroi se futbollistet kanë marrë kërcënime nëse thonë diçka për atë që ka ndodhur.

“Federata mbyll një sy, sepse ekipi i femrave ka pasur rezultate të mira. Është mënyra e tij për të treguar sukses dhe një imazh të mirë për publikun dhe autoritetet. Por nga pas gjërat janë shumë të shëmtuara”.

“Nuk kemi ankesa zyrtare nga askush për akuzat, por ne i konsiderojmë ato si shumë serioze dhe kemi hapur një hetim për këtë çështje. Ne do të bashkëpunojmë me Policinë e Zambias dhe palët e tjera të interesuara”, tha në një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i FAZ, Adrian Kashala.

“Ne preferojmë që një organ i pavarur si FIFA-s të mund t’i drejtojë hetimet. Ne do të vendosim sanksione; kemi mjaft rregulla dhe rregullore brenda futbollit me të cilat mund të përballemi”, tha në tetor kryetari i FAZ Andrew Kamanga.