Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal Nr. 83 të vitit 2023, për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim dhe “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 248 e 25 dhe 150 i Kodit Penal.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 83 datë 12 korrik 2023 ka vendosur:
1. Caktimin e masës së sigurimit “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim F. T., si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25 i Kodit Penal.
2. Caktimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim N. M., si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25 i Kodit Penal.
3. Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim D.M., si person i dyshuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 i K. Penal.