Parlamenti i Kosovës i përfshi të enjten nga përleshjet fizike ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike dhe përfaqësuesve të pushtetit.
Përleshjet shpërthyen derisa kryeministri Albin Kurti po fliste për situatën në veri të Kosovës dhe pajtimin që është arritur me Bashkimin Evropian për hapat e parë drejt uljes së tensioneve. Fjalimi i tij u pengua nga deputetët e opozitës duke brohoritur dhe duke e cilësuar si “gënjeshtar”.
U desh ndërhyrja e sigurimit të kryeministrit për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa kryetari i Parlamentit kërkoi edhe ndërhyrjen e policisë.
Në hapje të seancës së parlamentit deputetë të opozitës vendosën përballë ulëseve të qeverisë mbishkrime që kishin të bëjnë me kritikat ndaj pushtetit pasi për disa ditë me radhë portali Nacionale publikoi disa biseda të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me përfaqësues të Listës Serbe, përfshirë nënkryetarin e kësaj partie, Milan Radojçiç, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara “përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion”.
Milan Radoiçiç kërkohet nga drejtësia në Kosovë nën dyshimet për përfshirje ne frikësimin e dëshmitarëve në një rast gjyqësor, të njohur si “Brezovica”. Emri i tij ishte përfshirë edhe në një aktakuzë rreth vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviç. Por, një urdhër arresti për të u tërhoq në mars të vitit 2021.
“Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Tash, kontributi ynë, është që është në një hotel në Kopaonik, në Serbi“, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë fjalimit në parlament i cili u ndërpre për shkak të përleshjeve. /VOA