Mesfushori Declan Rice është zyrtarisht futbollisti më i ri i Arsenalit.

Nënkampionët e Anglisë bënë të vetin kapitenin e West Ham për shumën rekord 105 milion paund.

Me mesfushorin “shkatërrues” që shndërrohet në investimin më të madh të klubit dhe lojtarin e dytë më të shtrenjtë në historinë e Premier League.

Pas argjentinasit Enzo Fernandez, për kartonin e të cilit Chelsea pagoi 106.8 milion paund te Benfica.

24-vjeçari zbarkon në “Emirates” me misionin për të ndihmuar skuadrën e Mikel Artetës në fitimin e titullit kampion.

Që klubit dhe tifozëve të Arsenalit u mungon prej vitit 2004, kur “armata” e pathyeshme dhe spektakolare e Arsene Wenger dominonte rivalët dhe fitonte trofeun duke mos regjistruar asnjë humbje gjatë kampionatit.

“Jemi të lumtur që Declan bashkohet me ne. Ai është një futbollist me aftësi të jashtëzakonshme, i cili prej kohësh performon në nivele të larta në Premier League dhe me kombëtaren angleze. Declan i sjell kualitet të madh klubit tonë dhe ka potencialin për të qenë shumë i suksesshëm këtu. Ai ka një përvojë të madhe, edhe pse është vetëm 24 vjeç. Jemi shumë të gëzuar”, deklaroi trajneri Mikel Arteta.

Ish-kapiteni i West Ham ka zgjedhur fanellën me numër 41 në aventurën londineze. Teksa ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me Arsenalin, me opsionin e rinovimit me një tjetër vit.

Rice, i cili ka veshur 43 herë (3 gola) fanellën e “Tre Luanëve”, është përforcimi i tretë për skuadrën e Artetës pas sulmuesit gjerman Kai Havertz dhe mbrojtësit holandez Jurrien Timber.