Qyteti që deri në fillim të viteve ’90 u gëzohej 2 kinemave verore, i rikthehet magjia e tyre. Mbrëmjen e së dielës, shumë qytetarë të të gjitha grupmoshave ndoqën nga shkallët e Sfinksit, dy filmat e parë që Open Air Durrës kishte rezervuar për natën e parë.

Më entuziastët për kinemanë verore ishin pa diskutim fëmijët.

Ndërkohë për moshën e tretë, nostalgjia për të rikthyer në kujtesë vitet e dikurshme, nderthurej me dëshirën për të tjera ngjarje kulturore në qytet.

Administratori i Open Air Durrës na rrëfen më shumë për iniciativën.

“Pas 3 vitesh eksperiencë në Tiranë menduam ta sillnim kinemanë verore edhe në Durrës. Do të ketë çdo natë nga dy filma, një për fëmijë (20.30-21.10) dhe për të rritur (21.00-23.00). Për fëmijët, hyrja do të jetë pa pagesë”,– tha Anaid Kaloti.

Mbrëmja e së dielës ishte e para që adhuruesit e kinemasë shijuan nën qiellin e hapur të këtij mes korriku.

Dhe nuk munguan as turistët, që këto ditë popullojnë hapësirat publike të qytetit.

Ndërkohë, nevoja për një kinema jo vetëm verore, është domosdoshmëri në qytetin nr.2 të Shqipërisë.

M.B.