Drejtori i emergjencave civile Haki Çako ka shkuar në terren pas zjarrit të madh që përfshiu sot zonën e Krapsit në Fier.

I shoqëruar dhe nga prefekti i Qarkut Lafter Shehaj, Çako tha për mediat situata e zjarreve është një emergjence kombëtare, duke theksuar që të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë.

Ai theksoi se autoritetet e kanë situatën e zjarreve në kontroll.

“Është dita e katërt që flakët kanë përfshirë këtë zonë pyjore. Deri ditën e djeshme e kishim pothuajse në kontroll të plotë duke angazhuar të gjitha forcat. Kemi angazhuar FA, ndërhyrjen nga ajri me helikopter, janë angazhuar edhe vullnetarë e struktura të tjera. Perfekti i qarkut ka qenë në krye. Nuk kemi pasur mundësi që ta izolojmë në kohë për të reduktuar këtë dëm masiv që është shkaktuar në pyje. S’kemi pasur dëme në njerëz. Janë dëmtuar dy banesa të braktisura. Jemi duke e vlerësuar situatën. Jemi të gjithë në këmbë. Është situatë që ka përfshirë të gjithë Europën, sot dita ka qenë kritike sa i takon temperaturave, kjo e ka favorizuar gjithë këtë zjarr. Theksojmë se e kemi në kontroll, vazhdon operacioni”, tha Çako.

Për prefektin Shehaj dita e sotme ka qenë edhe më kritike nga ditët e mëparshme pasi zjarri iu është afruar edhe banesave teksa ka pohuar se zjarri është shtrirë në një sipërfaqe të gjerë duke sjellë një dëm të konsiderueshëm.

Aktualisht në terren ndodhen 8 mjete zjarrfikëse dhe forca të ushtrisë te cilat po përpiqen të mbajnë nën kontroll vatrat e vogla aktive pas ndërhyrjes nga ajri.